Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot realizoi bisedë telefonike me homologun e tij nga Bosnja dhe Hercegovina, Elmedin Konakovi
Duke e uruar për marrjen e detyrës, Osmani shprehu kënaqësi për nivelin e lartë të marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimin bilateral ndërmjet dy vendeve, si dhe bindjen se ekziston mundësi dhe potencial për zgjerimin e tyre, përmes projekteve dhe iniciativave konkrete, sidomos në bashkëpunimin ekonomik.
Pas marrjes së statusit kandidat për anëtarësim në BE, edhe një herë u përcoll gatishmëria për ndarjen e përvojave të Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit euroatlantik të Bosnje dhe Hercegovinës.
“Vendimi për dhënien e statusit vend-kandidat për anëtarësim në BE është i rëndësishëm për kursin reformues të Bosnjë-Hercegovinës dhe e një rëndësie të madhe është për stabilitetin dhe zhvillimin e përgjithshëm të rajonit dhe për integrimin e tij sa më të shpejtë në BE”, theksoi Osmani.
Në mënyrë të veçantë diskutuan për bashkëpunimin rajonal, me fokus në kryesimin e Maqedonisë së Veriut me SHBA-Kartën e Adriatikut (A5) dhe OSBE-në. Në këtë kontekst, u diskutua për takimin e ardhshëm ministror në kuadër të A5 (27-28 mars) dhe vizitën e misionit në terren të OSBE-së në Bosnje dhe Hercegovinë, e planifikuar që të realizohet gjatë muajit prill.