Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar vrasjen e të gjithë burrave që kishin mbetur në fshatin Lybeniq të Pejës si dhe martirizimin e dhjetëra burrave e grave në Gjakovë.

Haradinaj thotë se të gjithë ata ishin vrarë vetëm pse kishin ëndërruar lirinë e atdheut, njofton Klankosova.tv.

“Më 1 prill 1999, në Lybeniq të Pejës forcat barbare ekzekutuan të gjithë burrat që kishin gjetur në fshat. Ata u vranë vetëm pse e ëndërruan lirinë e atdheut. Në këtë ditë ndajmë thellësisht dhimbjen me familjarët e të gjithë të rënëve të ngjarjeve që nisën më 1 prill dhe vazhduan edhe në ditët në vijim në fshatrat përreth, në të cilat regjimi i atëhershëm mori jetën e shumë civilëve të pafajshëm shqiptarë”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj ka përmendur edhe familjen e Januz Canës e cila u shua krejtësisht pa lënë pasardhës.

“Gjithashtu sot me përulje të thellë, kujtojmë martirizimin e dhjetëra vëllezërve e motrave tona në Gjakovë. Kujtojmë familjen që u shua pa lënë pasardhës, familjen e Januz Canës. Kujtojmë gjithë ata që u sakrifikuan në shtëpinë e familjes Vejsa dhe në pjesët e tjera të Gjakovës. Asnjëherë nuk do t’i harrojmë njerëzit tanë, që me jetët e tyre iu bënë mburojë kësaj toke.
Lavdi të gjithë të rënëve për liri!”, ka përfunduar Haradinaj.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume