A ka mundësi që ndryshimi i stemës shtetërore të jetë kompromisi me të cilin VMRO-DPMNE do të pranojë ndryshimet Kushtetutese, është dilema pasi profesori universitar i së drejtës kushtetuese Aleksandar Spasenovski vendosi stemën në tavolinë si zgjidhje e mundshme për përfshirjen e opozitës në proces, shkruan PRESSonline.al

Kryeministri Dimitar Kovaçevski nuk u përgjigj nëse është e pranueshme ndryshimi i stemës në kuadër në këtë fazë të ndryshimeve kushtetuese, por ftoi opozitën që të gjitha propozimet t’i dorëzojë në grupin punues. VMRO-DPMNE, nga ana tjetër, është për ndryshimin e stemës, por jo në paketë me bullgarët.

Ekspertët ofrojnë propozime për të siguruar 80 vota për fillimin e procesit të ndryshimeve kushtetuese si pjesë e kornizës negociuese me Bashkimin Evropian pas qëndrimit kategorik të liderit të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski se kjo përbërje parlamentare nuk ka mandat për ndryshimin e Kushtetutës. Pa partinë opozitare, e cila ka 44 nga gjithsej 120 deputetë në Parlament, është e pamundur të sigurohet shumica e nevojshme dy të tretash për hapjen e aktit më të lartë ligjor në vend.

Kovaçevski ftoi partinë opozitare që të gjitha propozimet që i ka t’i dorëzojë Komisionit për Çështje Kushtetuese, i cili duhet të formohet në Ministrinë e Drejtësisë dhe aty të diskutohen. Sipas Kovaçevskit, ndryshimet kushtetuese do të kenë legjitimitet edhe pa opozitën. Nga VMRO-DPMNE thonë se bëhet fjalë për mendim dhe propozim personal të profesor Spasenovskit.

“Të gjitha këto çështje burojnë nga ndjenja e maqedonasve se vazhdimisht po humbasin diçka dhe po heqin dorë nga diçka. Ndryshimi i Kushtetutës në këtë moment dhe një zgjidhje e re për stemën shtetërore nuk kanë asnjë lidhje reciproke. Këto janë procese të ndara dhe çdo lidhje mes tyre e prish procesin e miratimit të stemës së re shtetërore, për të cilën në të kaluarën kishte konsensus ”, thonë nga VMRO-DPMNE, përcjell PRESSonline.al

Profesori universitar Aleksandar Spasenovski, i ftuar në TV Sitel, tha se ndoshta kthimi në debatin e vjetër 2014-2015 për ndryshimin e stemës së tanishme shtetërore është një nga mënyrat për të mundësuar një diskutim me opozitën për të siguruar pëlqimin e saj për tekstin e ndryshimet kushtetuese. Ai theksoi se ndoshta duhet të merret parasysh propozimi për një luan të kuq në sfond të verdhë me pesë kulla, i cili ishte propozuar nga qeveria e atëhershme e VMRO DPMNE-së në vitin 2014 për stemën shtetërore dhe mori vlerësim pozitiv edhe nga BDI, por nuk kaloi në Parlament.

Profesori kujtoi se arsyeja pse BDI-ja më pas e pranoi propozimin është se edhe stema e shumë familjeve të vjetra shqiptare është një luan, si dhe stema e qytetit të Tiranës, ndërsa kurora është një simbol i përgjithshëm, Kalaja e Shkupit.

Sipas profesor Spasenovskit, në shoqëri nuk ka debat racional për amendamentet kushtetuese, dhe konstatimi se përveç futjes së disa bashkësive në Preambulën kushtetuese, janë të mundshme edhe ndryshime të tjera të Kushtetutës, rrit skepticizmin si te qytetarët ashtu edhe te ekspertët.

Në grupin e punës për ndryshimet kushtetuese do të kërkohet ndryshime në Kushtetutë edhe në pjesën e formulimit “20 për qind” për gjuhën shqipe.