Në hapësirat e Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut sot është mbajtur mbledhje e Bordit p;r transparencë për donacionet e mbledhura nga aksioni i Kryqit të Kuq të RMV-së për të ndihmuar popullatën e prekur nga tërmeti katastrofik në Republikën e Turqisë dhe Republikën Arabe Siriane.

“Me rastin e tërmetit të fuqishëm katastrofik që goditi Turqinë dhe Sirinë më 6 shkurt 2023 dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale, lëndime dhe fatkeqësisht humbje në njerëz, Kryqi i Kuq i PMV-së menjëherë bëri thirrje për të siguruar donacione financiare nga qytetarët dhe personat juridikë, por edhe të mira materiale që i nevojiten popullatës së vuajtur. Më 20.03.2023 Kryqi i Kuq i RMV-së organizoi ngjarje për të përmbyllur aksionin e ndihmës humanitare”, thuhet në njoftimin e Kryqit të Kuq të RMV-së.

Në mbledhjen sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq të RMV-së, Sait Saiti i informoi të pranishmit për aktivitetin e ndërmarrë dhe se gjithsej janë mbledhur 71 milionë denarë, prej të cilave pothuajse nëntë milionë denarë janë në ndihmë materiale humanitare, ndërsa tjerat janë në mjete financiare.

Anëtarët e Bordit në mbledhje inspektuan mjetet e paguara në Fondin e solidaritetit të Kryqit të Kuq të RMV-së – donacione nga persona juridikë dhe qytetarë, përmes dokumenteve financiare që janë vënë në dispozicion (shqyrtimi i certifikatave të mjeteve të paguara).

“U diskutua edhe për ndarjen e shumave nga donacionet që nuk kanë dedikim të shprehur të mjeteve për cilin vend, mënyra se si do të transferohet. Fondet për popullatën në Turqi do të transferohen në llogarinë e Gjysmëhënës së Kuqe turke, ndërsa fondet për popullatën në Republikën Arabe të Sirisë do të transferohen në thirrjen e dedikuar për donacione të Federatës ndërkombëtare të shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe”, thuhet në kumtesën e Kryqit të Kuq të RMV-së.