Shaqiri: Të punojmë së bashku për të promovuar jo dhunë, paralajmërim të hershëm dhe shkolla të sigurta

Të gjithë së bashku duhet t’i promovojmë vlerat pozitive, ato që do t’i ndërtojnë të rinjtë në persona të mirë, për të cilët dhuna nuk do të jetë kurrë opsion. Të veprojmë në mënyrë preventive, që të mos të bëhet vonë. Të flasim hapur me të rinjtë, të dëgjojmë zërin e tyre, idetë dhe përvojat e tyre të këndshme dhe të pakëndshme. Të punojmë në avansimin e komponentit edukativ të procesit arsimor dhe t’i ndihmojmë mësimdhënësitë dhe kuadrin profesional në shkollat, në përpjekjet e tyre për ndërtimin e kapaciteteve të tyre për njohjen dhe parandalimin e dhunës.
Këtë e theksoi Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri në punëtorinë e sotme me nxënësitë dhe mësimdhënësitë e SHF“Vera Ciriviri – Trena” me temë “”Siguria në shkolla -ndërtim i mekanizmave në parandalimin nga rreziqet dhe paralajmërimit të hershëm, ndërsa në kornizë të projektit kërkimo-shkencor të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”-Shkup, qëllimi i së cilës është përmirësimi i sigurisë së përgjithshme dhe personale të nxënësve në institucionet edukative-arsimore si dhe reduktimin e të gjitha formave dhe llojeve të dhunës ndërmjet nxënësve
E përshëndes idenë për realizimin e këtij projekti, qëllimi i të cilit është në përputhje me angazhimin e Qeverisë për ndërtimin e mjedisit të qetë shkollor. Edhe pse veprojmë në mënyrë institucionale, gjithsesi secili projekt i komunitetit akademik apo i sektorit civil, i këtij lloji, me komponent hulumtues-analitik, rol këshillues dhe parandalues është i rëndësisë së madhe për përmirësimin e efikasitetit dhe efektivitetit të përpjekjeve të përgjithshme”, tha Shaqiri, duke shtuar se në të ardhmen duhet të jepet mbështetje në sa më shumë projekte të tilla që do të ndihmojnë në arritjen e qëllimit – krijimin e gjeneratave të reja që do të dinë të respektojnë, tolerojnë dhe të jenë të sjellshëm.
Ministri njoftoi se me iniciativë të MASH-it, në fazën e hartimit është rregullorja dedikuar shkollave për parandalimin dhe veprimin në rast të dhunës, si dhe se po mendohet për kufizimin e përdorimit të rrjeteve sociale në mjedisin shkollor, sepse siç tha ai, në shumicën e rasteve dhuna nxitet përmes trendeve dhe shpalljeve të së njejtës.
“Hapëm adresë të vetme elektronike [email protected], ku mund të denonconi dhe për secilën do të veprojmë menjëherë. Njëkohësisht, në mënyrë shtesë do të përforcojmë programet parandaluese për luftën kundës bullizmit, duke promovuar dialogun dhe jo dhunën si elementë kyç në arsimimin dhe zhvillimin e fëmijëve dhe të rinjve”, shtoi Мinistri.