Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, u takua me ambasadoren e re të Republikës Federale të Gjermanisë, znj. Petra Dreksler.

Zëvendëskryeministri Bytyqi i uroi mirëseardhje ambasadores së re, duke i uruar suksese në punën e saj dhe bashkëpunim të vazhdueshëm të frytshëm, veçanërisht nga fakti se në Maqedoninë e Veriut punojnë më shumë se 200 kompani me kapital gjerman, të cilat punësojnë rreth 20.000 persona, gjë që i bën investitorët gjermanë shumë të rëndësishëm për ekonominë tonë.

Në të vërtetë, Gjermania është partneri ynë më i madh tregtar, me një nivel të tregtisë mbi 5 miliardë euro në mallra dhe shërbime.

Ambasadorja Dreksler, nga ana e saj, theksoi se pret mundësinë që përmes angazhimit të saj të ndikojë në thellimin e bashkëpunimit ekonomik, por edhe bashkëpunimin në të gjitha fushat që janë me interes të përbashkët për Gjermaninë dhe Maqedoninë e Veriut, me theks të veçantë në energjetikë, infrastrukturë dhe investime në sektorin e përpunimit.