Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) shpreh keqardhjen që pesë anëtarë të Kryesisë Qendrore u larguan vetë nga partia. Përmes një njoftimi partiak kanë bërë të ditur se ky është një nga konkluzionet e arritura të premten në mbledhjen e kryesisë në selinë partike në Reçicë të vogël.

Bëhet fjalë për anëtarët e të ashtuquajturit “Grupi i zjarrit” i cili para dy muajsh vendosi se do të vepronte si fraksion.

“Kryesia Qendrore shpreh keqardhje të thellë për vendimin e pesë anëtarëve të Kryesisë që të tërhiqen nga Kryesia Qendrore e Bashkimit Demokratik për Integrim, vendim të cilin e morën në mbledhjen e mbajtur më 1 prill 2023”, thuhet në kumtesën e BDI-së.

Gazetari Destan Jonuzi në një prononcim për TV Telma ka deklaruar se “Grupi i zjarrit” duke vendosur të veprojnë si fraksion kanë shkelur statutin e partisë, i cili nuk njeh fraksion dhe kjo do të thotë braktisje e organeve të partisë.

Sipas tij, ata nuk do të formojnë parti por do të mundohen ta dëshmojnë legjitimitetin e betejës së tyre politike.

“Vendimi i fundit i BDI-së është verifikim i deklaratës së Ali Ahmetit të dhënë më 1 prill, por kësaj radhe ka kaluar edhe filtrat partiakë dhe ka marrë dritë jeshile nga kryesia e partisë. Është befasi për mendimin tim që nga pesë të përjashtuarit apo të vetëpërjashtuarit nuk figuron emri i Musa Xhaferit. Deklaratat dhe akuzat e ashpra të fundit të Izet Mexhitit ndaj bashkëpartiakëve vetëm tregojnë se ai ka vendosur ta vazhdojë betejën me Ahmetin. Vlerësoj se ai dhe grupi i tij nuk do të kenë guxim dhe as nuk do të tentojnë të formojnë parti politike”, thotë për TV Telma, gazetari Destan Jonuzi.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume