Nuk kanë të ndalura skandalet në komunën e Zhelinës. Pas ndërprerjes së rrymës ku dy fshatra kanë ngelur pa ujë të pijshëm, sot njerëz të komunës së Zhelinës me urdhër të kryetarit Blerim Sejdiu kanë dalë në disa fshatra për të mbledhur para kesh nga qytetarët për të paguar rrymën që komuna nuk e ka paguar.

“Po më kërkuan para dhe ju dhash 50 euro  shkaku se ne qe dy ditë skemi ujë të pijshëm, nuk me dhanë as kupon asgjë, unë i dhash thjeshtë për të lëshuar ujin sepse nuk jetohet  pa ujë” thotë për TS një qytetarë i cili ka dhënë kesh para pa kupon nga Ndërmarrja komunale.

Ai thotë se shumë qytetarë kanë dhënë para vetëm e vetëm për të pasur ujë edhe pse nuk kanë borxhe ndaj komunës e as ndërmarrjes “Mirëmbajtja”.

“Unë nuk kam borxhe, të gjitha faturat i kam të paguara, por prap skamë ujë, më kërkuan para dhe ju dhash” thotë një qytetarë tjetër që kishte ardhur nga Zvicra për një javë.

“Një javë këtu, 3 ditë pa ujë 3 ditë me ujë, katastrof” shprehet i revoltuar për TS.

Pas këtij skandali, policia duhet urgjentisht të merr masa për të zbardhur këtë fenomen i cili nuk ka ndodhur kurrë më parë.