Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot ka zhvilluar takim me shefin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në vend, David Geer.

Në fokus të takimit ishte procesi i integrimeve evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe zhvillimet dhe sfidat aktuale.

Nga Qeveria njoftojnë se në takim u theksua rëndësia e progresit të integrimeve evropiane, e cila, siç u vlerësua, do të ndikojë pozitivisht në cilësinë e jetës së qytetarëve, si dhe në të gjitha sferat e shoqërisë.

“Në këtë drejtim, u theksua se procesi i skriningut zhvillohet sipas dinamikës së paraparë dhe kalendarit që është vendosur bashkërisht mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian. Ambasadori evropian Geer konfirmoi mbështetjen e fuqishme për procesin e integrimit evropian të vendit. Bashkë u tha se në kushtet e trazirave gjeopolitike, anëtarësimi i plotë i vendit në Bashkimin Evropian është i një rëndësie vendimtare”.

“Në të njëjtën kohë, kryeministri Kovaçevski në takim theksoi se vazhdimi i rrugës evropiane është një mundësi historike që duhet shfrytëzuar tani. Në takimin me ambasadorin evropian Geer, Kryeministri theksoi se anëtarësimi i plotë në BE deri në vitin 2030 është një synim ambicioz por i arritshëm, për të cilin kemi mbështetjen edhe të partnerëve tanë strategjikë”, thuhet në njoftim.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume