Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski hodhi poshtë pretendimet e komunës së Tetovës se SPB-ja nuk bashkëpunon sa duhet me komunën, para së gjithash në rregullimin e rendit në komunikacion. Spasovski tha se mirëmbajtja e regjimit të komunikacionit është ingerencë e komunës dhe se policia jep vetëm pëlqime për veprim të mëtejmë të institucioneve përkatëse. Ai madje lavdëroi SPB-në e Tetovës se ka dhënë rezultate më të mira në nivel shtetëror për luftimin e dukurive, tregtisë me drogë dhe me armë.

“Çdo shërbim i merimangës punon në dy turne. Për të punuar në mënyrë të tillë duhet angazhimi i zyrtarëve policor. Turni i parë punojnë 4 vetura të merimangës, turni i dytë 4 vetura merimangë. Ata punojnë së bashku me zyrtarë policor në terren”, deklaroi Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.

Nga Komuna e Tetovës përsëritën edhe një herë qëndrimin se kaosi brenda qytetit shkaktohet për shkak të mos veprimit të policisë.

“Nuk duam t’i komentojmë deklaratat e tilla. Ne i bëjmë thirrje ministrit Spasovski që të dalim bashkërisht në bulevardet e qytetit dhe ta shohë personalisht edhe ai kaosin e krijuar. Në këtë mënyrë do ta kuptojë se në çfarë niveli është bashkëpunimi midis komunës dhe policisë”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Tetova përballet me mungesë të theksuar të parkingjeve, gjendje e cila krijon kaos të madh brenda qytetit. Problem bëhet edhe më i madh me ardhjen e mërgimtarëve gjatë sezonit të verës kur edhe regjistrohen më shumë aksidente trafiku. Sipas të dhënave të policisë, gjashtë muajt e parë të këtij viti numri i aksidenteve rrugore në Tetovë ka shënuar rënie në krahasim me një vit më parë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume