Moska ka thënë se një cisternë nafte ruse është dëmtuar nga një sulm ukrainas me dronë gjatë natës në Ngushticën e Kërçit, pranë një ure që e lidh Krimenë e aneksuar nga Moska me Rusinë. Agjencia e lajmeve e Rusisë, TASS, e citoi Qendrën e Koordinimit të Shpëtimit Detar të ketë thënë se është dëmtuar motori i cisternës ruse SIG nga një sulm ukrainas. Ukraina nuk ka komentuar ende rreth këtyre lajmeve, të cilat nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur. Cisterna e naftës SIG u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2019, për shkak se i kishte furnizuar forcat ruse në Siri me karburant për aeroplanë. Ky incident ndodhi një ditë pasi një anije e Marinës ruse u dëmtuan rëndë në portin Novorossiisk nga një sulm me dronë, për të cilin përgjegjësinë e mori Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës. Sulmet brenda dhe përreth Detit të Zi janë rritur qëkur Rusia nuk pranoi ta vazhdojë një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara për eksportimin e drithërave ukrainase përmes detit. Marrëveshja kishte për qëllim ta zbuste krizën globale të ushqimit duke i lejuar drithërat ukrainase të eksportoheshin në mënyrë të sigurt.