Laboratori i Raportimit Investigativ (IRL) ndriçoi shumë të panjohura, por edhe të njohura, që ndërlidhen me djegien e spitalit modular të Tetovës, me ç’rast u dogjën për së gjalli 14 pacientë. Kjo ngjarje me përmasa tragjike nuk e pati epilogun e natyrshëm, sepse askush nuk e mori dënimin e merituar. Nuk u dënua askush, sepse shteti është kapur nga ata që nuk kanë asnjë grimcë ndërgjegje, sepse shteti është kapur nga të paprekshmit, të cilët edhe drejtësinë e trajtojnë si pronë të tyre dhe dënohen vetëm ata që janë pa “muskuj”.

Komprometimi i gjyqësorit tashmë është vërtetuar edhe përmes anketave të ndryshme, por edhe përmes reagimeve të ndërkombëtarëve. Tashmë edhe zogjtë e malit e dinë se kush mund të dënohet e kush jo. Është e madhe përgjegjësia e atyre që kontrollojnë pushtetin dhe është e çuditshme se si akoma bëjnë gjumë të rehatshëm pas asaj tragjedie të kobshme në spitalin modular të Tetovës.

IRL e bëri të ditur atë që e heshtën organet e drejtësisë, gjë që e bën tragjike-komike farsën e Gjykatës së Tetovës, e cila, pas disa seancave, mezi “mblodhi” forcë për t’i “shqiptuar” dënimet me kusht. Është e qartë se përse u minimizua përgjegjësia e një katastrofe që brenda pak minutave ua mori jetën 14 pacientëve.

Dorëheqja është një akt që ndërlidhet me përgjegjësinë morale. Pra është diçka që tregon për pjekurinë dhe seriozitetin e çdo individi që pajtohet të merr drejtimin e një organi shtetëror. E sa u takon dorëheqjeve të kushtëzuara nga minstrate BDI që i bënë për teatër, kjo ngjarje që mori jetën e 14 qytetarëve është arsye e vërtetë për dorëheqje të parevokushme, për përgjegjësinë që duhet ta mbajnë ministrat para gjithë opinionit, që të dëshmojnë minimumin e moralit në politikë!

Por, papërgjegjësia është bërë karakteristikë e partisë shqiptare në pushtet, e cila pësimet dhe tragjeditë e shumta të shqiptarëve i shënon me koncerte e ahengje të shtrenjta dhe pa iu skuqur fare fytyra. Në fakt, për t’u skuqur fytyra, duhet pasur fytyrë…, thuhet në kumtesë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume