Pas aksionit të djeshëm policor i cili rezultoi me arrestimin e dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nën dyshimet për keqpërdorim të rezervave shtetërore, ministri i Financave, Hekuran Murati ka polemizuar me ish-ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqin.
Murati e ka akuzuar Krasniqin se ky i fundit e kishte shkelur ligjin gjatë kohës sa ishte ministër i MTI-së në vitin 2021, shkruan Klan Kosova.
“Në fund të vitit 2020, nja 10 ditë pasi Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur Qeverinë Hoti të paligjshme, Vesel Krasniqi duke u bazuar në një udhëzim administrativ po ashtu të paligjshëm, kishte marrë vendim për caktimin e një operatori ekonomik ‘për shënjimin e naftës’. Vendimi ishte marrë me 30 dhjetor, një natë para natës së Vitit të Ri”, ka shkruar Murati në llogarinë e tij në Facebook.
Sipas tij, edhe vendimi për shpronësimin e famshëm të rrugës Kijevë-Zahaq nga Qeveria Haradinaj ishte marrë me 31 dhjetor 2019, që po ashtu ishte qeveri në ikje dhe e dorëhequr.
“Megjithatë, shkojmë me 14 janar 2021, pra dy javë më vonë, Vesel Krasniqi nënshkruan kontratë 5-vjeçare me të njëjtën kompani, për t’i dhënë kompanisë monopol në shënjimin e naftës”, ka thënë ai.
Tutje, ministri i Financave ka theksuar se me të marrë mandatin Qeveria Kurti, me datë 3 maj 2021, ministria që drejton Rozeta Hajdari kishte dorëzuar kallëzim penal për këtë rast në Prokurorinë Speciale.
“A e dini se çka ka bërë Prokuroria Speciale që nga ajo ditë e deri më sot, për më shumë se dy vite? Asgjë”, ka thënë Murati.
Ndërsa ish-ministri Krasniqi ka thënë se ministri aktual i Financave, Hekuran Murati, po bën presion mbi Prokurorinë kur thotë se organi i akuzës nuk ka bërë asgjë ndaj tij.
“Kjo që ju keni shënuar është drejtpërdrejt presion mbi prokurorin e shtetit dhe ndërhyrje në drejtësi. T’u kisha lutur që të merreni me punët tuaja dhe jo me presion mbi gjyqësorin dhe prokurorin. Përndryshe jam i gatshëm të kemi debat para publikut me ju”, ka shkruar Krasniqi, në një reagim në postimin e Hekuran Muratit.
Kurse Murati, në shkrimin e tij, ka hedhur akuza ndaj prokurorit Milot Krasniqi, i cili ishte caktuar për rastin e kallëzimit penal ndaj ish-ministrit Krasniqi. Ministri thotë se Prokuroria Speciale po shpreson se do të kthehet ish-pushteti, të cilin ai e quan “kastë e vjetër kriminale”.
“Me sa kuptova, i ngarkuar me këtë rast qenka prokurori Milot Krasniqi. Pra përkundër faktit që kallëzimi penal përmbante të gjitha dëshmitë e nevojshme për të ngritur aktakuzë ndaj Vesel Krasniqit, Prokuroria Speciale nuk bëri asnjë hap deri më sot. Sepse luftimi i krimit e korrupsionit me sa shihet nuk është misioni i tyre, por mbrojtja e kastës së vjetër kriminale, me shpresën që një ditë ajo kastë do të kthehet”, ka shtuar ai.
Sipas Muratit, për ta bërë më të lehtë kthimin e kastës së vjetër, sistemi i kapur i drejtësisë po luftojnë me çdo mjet ministrat e Qeverisë Kurti, duke u munduar të bëjnë spektakle nga asgjëja.
“Po të kishte prokurori e gjyqësor që njëmend ka mision luftimin e krimit, Vesel Krasniqi do duhej të jepte llogari për shkeljet që ka bërë. Por ja që Veseli ftohet për intervistë, në media e jo në prokurori. Ndërsa prokuroria bën spektakël në vend se spektaklin t’ia lërë medias”, ka shkruar Hekuran Murati, ministër i Financave. /Klankosova.tv