Më 11 shtator 2023, Ambasadori i Japonisë, Sh.T. Ocuka Kazuja mori pjesë në ceremoninë
e dorëzimit të projektit GGP, tashmë të përfunduar me sukses në Komunën e Kërçovës.

Me shumën prej 80.593 euro, projekti mundësoi rindërtimin e Shkollës fillore “Dr.Vlladimir
Pollezhinoski” në Kërçovë, nëpërmjet ndërrimit të dyerve dhe dritareve, si dhe rinovimit të
tualeteve. Si rezultat, kushtet e mësimit janë përmirësuar dukshëm.

Në fjalimin e tij, ambasadori Ocuka theksoi: “Ne besojmë se investimi në arsim është një
investim për të ardhmen. Dua të theksoj se Japonia është fuqimisht e përkushtuar për të
mbështetur zhvillimin ekonomik dhe social të Maqedonisë së Veriut, gjë që është e
rëndësishme për integrimin e plotë në BE”.

Ceremoninë e hapi kryetari i Komunës së Kërçovës, z. Fatmir Dehari, i cili përshëndeti të
pranishmit dhe shprehu mirënjohje ndaj popullit japonez. Drejtori i shkollës, z. Goran
Karafiloski, pasi prezantoi rezultatet e projektit, i shoqëroi të pranishmit në sallën kryesore
ku të gjithë shijuan shfaqjen e nxënësve të përgatitur për këtë rast.

Në kuadër të programit (GGP), Japonia ka financuar projekte për rinovim dhe sigurim të
pajisjeve në më shumë se 75 shkolla dhe kopshte, 67 objekte shëndetësore dhe ka ofruar
31 automjete të specializuara për menaxhimin e mbetjeve dhe shërbimeve komunale për
52 komuna.

Japonia në vazhdimësi mbështet Maqedoninë e Veriut në sektorë të ndryshëm, si zhvillimi
infrastrukturor, përmirësimi i shërbimeve shëndetësore, arsimi, mjedisi, kultura, ndihma
gjatë fatkeqësive natyrore dhe krizave të refugjatëve, si dhe ndihma urgjente në vlerë mbi
8.9 milionë euro, si dhe ndihma të tjera jofinanciare.

Mgid