Nga Arian Galdini
Shqipëria po bëhet tashmë vendi më proverbial në botë ngase nuk bën dot prej vitit 1928 zgjedhje të lira, të ndershme e të barabarta.
Që nga dita kur në Shqipëri u shpall Monarkia prej Asamblesë Kushtetuese të kohës, mbaruan edhe zgjedhjet.
Nuk patëm më zgjedhje as në 10 vjet Mbretëri deri në 7 prill 1939, e as në 5 vjet L2B, e madje prej vitit 1944 e deri në vitin dhjetorin 1990 patëm Diktaturën Komuniste që votimet i bënte me kërrbaç a dajre.
Por saga jonë e zgjedhjeve u kthye në tragjikomedi pikërisht pasi hymë në këtë epokën e re postkomuniste, me kinse pluralizëm politik dhe gara mes partive të ndryshme.
Ndoshta drama jonë e madhe nisi që në hapin e parë, sepse votimet e para pluraliste të 31 marsit 1991, i fitoi bindshëm Partia e Punës, edhe pse “historia jonë e paanëshme” na thotë se prej 8 dhjetorit 1990 i gjithë populli shqiptar ishte në sheshet e revoltës dhe iu bashkua revolucinit paqësor demokratik për ndryshim…
Votimet e 31 marsit 1991, na treguan se revolucioni ishte ende ne imagjinatën e pak shqiptarëve, sepse shumica akoma donte koperativat dhe 80% qyl që i dha Ramiz Alia.
U desh të vinte James Baker dhe të dilte në fushatë Ambasadori i SHBA Rajerson, e iu desh Fatos Nanos të shkonte të pinte një kafe me Sali Berishën dhe Mentor Çokun në Triste, që populli ynë të kuptonte se kishte ardhur radha ta pranonte ndryshimin e udhëheqjes.
Pa SHBA në fushatë, as që do kishte pasur në Shqipëri ndonjë shans që populli ynë ta kuptonte se duhej një ndryshim taktik i përkohshëm që të përmbyllej era e Rënies së Murit të Berlinit në Europë, e ti linim vetëm Kubën dhe Korenë e Veriut…
Ne nuk e dinim që udhëheqjet ndryshoheshin me zgjedhje, ndaj edhe po prisnim porosi nga lart.
E ashtu ndodhi.
Votimet u bënë pothuajse njëlloj si në kohën e Enver Hoxhës, veç kësaj radhe nuk pati më kërrbaç, por porosi dhe dajre.
Këtu Sali Berisha e kuptoi rolin e tij historik dhe vendosi tua hiqte bezdinë e zgjedhjeve shqiptarëve, ndaj edhe në vititn 1996, ua morri mendtë me Piramida dhe kutitë e votimit me Policë…
Prej 26 majit 1996 e deri sot, historia e vendit tonë me zgjedhjet është kthyer në një histori me thyerje e ngjitje pasqyrash…
Në çdo sesion të ri parpamentar krijohet një Komision Bipartizan me deputetë të Shumicës dhe Pakicës, i cili do të na bëjë reformën e radhës zgjedhore, e pasi ka kryer punë komisioni i radhës, e pasi janë bërë ndryshimet e radhës, e pasi janë zhvilluar edhe zgjedhjet e radhës, ia rinisim nga puna nga e para me një tjetër komision bipartizan për të tjera ndryshime.
Ama, prej vitit 2008, pasi në lojë hyri një tjetër lojtar që e kishte kuptuar se në Shqipëri, udhëheqja nuk ndryshohet me zgjedhje por me porosi nga lart, Sali Berisha ia mirëkuptoi hallin Edi Ramës dhe i dha Kodin Elektoral që kemi sot, por i mori zgjedhjet e 2009 bashkë me Ilir Metën.
Dhe sigurisht u kujdes tia rikthente nderin në vitin 2013 bashkë me Ilir Metën si kusur e garanci.
Zgjedhjet e lira, të ndershme dhe të barabarta, vdiqën dhe shqiptarëve u mbeti Kodi Elektoral i 2008.
Ilir Meta si grevist urie kundër atij Kodi të 2008, u kompensua dhe shpërblye në natyrë.
Prej 2008 e këndej, kemi parë arrnime e përpunime satirike të Kodit Elektoral, por askush nuk ka guxuar ta drejtojë gishtin nga vetë Kodi si burimi i gjithë dështimeve të sistemit tonë politik për të realizuar zgjedhje të lira, të ndershme e të barabarta.
Vini re, në vitin 2017, i asgjësuan zgjedhjet me marrëveshjen e 17-18 majit Rama – Basha, sipas të cilës, Rama mbajti pushtetin dhe i riktheu Berishes, Ilir Metën.
U krijua një tjetër Komision Bipartizan i cili ra në vitin 2019, kur Opozita dogji mandatet.
E megjithatë u gjet një mekanizëm skandalozisht fyes për ligjet, demokracinë dhe moralin, e u krijua Këshilli Politik, që përsëri Kodin Elektotal ta arrnonin e përpunonin të njëjtët dorëzanë që e kishin bërë në vitin 2008.
Që askush mos të fliste për thelbin, u shpik kauza e Listave të Hapura…
U tha se Listat e Hapura janë zgjidhja për demokratizim dhe kundër kryetarokracisë…
E pranuan si koncept, por i mbyllën listat përkohësisht, sa të kalonin zgjedhjet e 25 prillit 2021, e të kryenin punë me paguesit e radhës për në zonat fituese në lista.
Pastaj, kur Parlamenti ishte konsituuar e mandatet ishin dhënë, Gjykata Kushtetuese i hapi fare listat duke hequr herësin.
Ja ku jemi sot tek e njëjta situatë dhe në të njëjtën pikë.
Kemi përsëri një Komision Bipartizan në Parlament, i cili do na bëjë Reformën Zgjedhore…
E madje kemi edhe Lulzim Bashën që rikthehet në krye të PD me tezat e 2021 të Myslym Murrizit dhe Rudina Hajdarit për Listat e Hapura.
Kemi edhe Grupin e Partive Parlamentare dhe Joparlamentare që janë bashkuar gjithashtu për Listat e Hapura.
E kemi edhe një tjetër lëvizje politike që po lind me “kauzë”, tezën e Listat e Hapura.
Ta dinin shqiptarët se sekreti i zgjedhjeve të lira e të ndershme e të barabarta, paskan qenë Listat e Hapura, ia kishin kursyer gjithë atë mundim Fatos Nanos dhe Sali Berishës në Trieste në vitin 1991…
Madje ia kishin kursyer edhe Edi Ramës gjithë ato stërmundime me greva urie e çadra proteste kur ishte në Opozitë, për të mos numëruar këtu gomat e djegura…
Paskan qenë të mjaftueshme Listat e Hapura në atë Kodin Elektoral të 2008 që na mbeti si kusur Gërdeci.
Sa keq.
Çfarë cektësie dhe çfarë harmonie hipokrizie nga të gjithë, të vjetër dhe të rinj fringo fare…
Listat e Hapura???
Po a nuk po themi se partitë i kemi të mbyllura e jodemokratike???
Si mund të funksionojnë Listat e Hapura në parti të mbyllura???
Po a nuk po themi se kemi një Shqipëri të dominuar nga një Grusht Politikanësh, një Grusht Oligarkësh dhe ca Grupe Kriminale????
Mediat i kontrollojne pikërisht këta, ky Grusht Politikanësh, Oligarkësh dhe Grupesh Kriminale.
Kush fiton me Listat e Hapura???
Sigurisht që kandidati që ka më shumë para dhe më shumë famë e njohje mediatike.
Kush i ka paratë dhe mediat në Shqipëri???
Grushti i Politikanëve, Oligarkëve dhe Grupeve Kriminale…
Kush do të ketë më shumë financime dhe famë nga kandiatët në Listat e Hapura, për të fituar?
Sigurisht që kandidatët e favorizuar nga Grushti i Politikanëve, Oligarkëve dhe Grupeve Kriminale.
Tjetër.
Shqipëria nuk ka pluralizëm real.
Shqipëria ka 4 lloje partishë politike që janë sot për sot në sistem.
Janë 2 partitë e mëdha tradicionale, janë disa parti tregëtare, janë partitë e vogla që janë në fakt parti shushunja që ushqehen duke iu ngjitur partive të mëdha, e janë së fundmi prej 2021 edhe partitë e reja të cilat janë teleparti ose parti që pompohen e lançohen dhe faktorizohen mediatikisht.
Listat e Hapura nuk demokratizojnë Shqipërinë në këtë realitet me këtë lloj pluralizmi që kemi e me këto lloje partishë që kemi.
Listat e Hapura janë terreni i pazareve të Kryetarëve të Partive të mëdha me Grushtin e Oligarkëve dhe Grupeve Kriminale për të garantuar sa më shumë mbështetje financiare dhe mediatike.
Listat e Hapura janë një stekë shumë e lartë që mund të kalohet edhe nga Partitë Tregëtare.
Çfarë janë partitë tregëtare???
Janë parti me njerëz me shumë para e marrëveshje kriminale të niveleve të dyta e poshtë, të cilët, janë të gatshëm e në gjendje të blejnë vota dhe bëjnë pakte me djallin drejtpërdrejtë me “operatorët elektoralë në terren”.
Listat e Hapura janë një shpresë edhe për telepartitë e reja, të cilat mendojnë se fama për shkak të hapësirës mediatike të garantuar që duket qartë se e kanë, mund tu sigurojë numrin e nevojshëm të votave për të kaluar pragun dhe për të fituar ndonjë mandat.
Kaq e thjeshtë dhe cinike është loja me Listat e Hapura..
Listat e Hapura i duan 2 Partitë e Mëdha, Partitë Tregëtare dhe Telepartitë e Reja.
E duke qenë se ata kanë numrat dhe do të bëjnë si të duan e as unë e askush nuk i ndalojmë dot, unë kam një propozim.
Le ti bëjmë Listat e Hapura, por jo me Shqipërinë si një zonë të vetme Elektorale.
Lista të Hapura me 140 zona elektorale pa prag elektoral, ku çdo parti konkuruese paraqet në çdo zonë elektorale nga 1 deri 5 kandidatë, e kësisoj, shqiptarët votojnë për partinë propocionalisht dhe kanë mundësi të zgjedhin në çdo zonë kandidatin e tyre të preferuar.
A doni ta ndaloni Kryetarokracinë me Sistemin Propocional në fuqi sipas Kushtetutës e madje edhe me Listat e Hapura???
A e doni demokratizimin e Shqipërisë???
Bëjini 140 zona elektorale dhe çdo listë partie është lokale njësi për njësi elektorale.
Kjo do të ishte një zgjidhje e vërtetë.
Të tjerat janë llogje për të vazhduar lojëne dominimit 2 partitë e mëdha e për të patur ndonje shpresë mos kapin ndonjë gjë partitë tregëtare dhe telepartitë e reja.
Kaq.
Arian Galdini