“Edhe pse Ministria e Transportit dhe Lidhjeve është institucioni kompetent për ndërtim, Ministria e Ekonomisë ka një rol shumë të rëndësishëm në fushën e produkteve të ndërtimit, të cilat janë element kyç i ndërtimit, si dhe në fushën e efiçiencës energjetike të ndërtesave, për të cilën të gjithë kemi parë është një prioritet i politikave të BE-së. Një mekanizëm efikas dhe i fortë për të kontrolluar cilësinë e materialeve të ndërtimit të ofruara në treg është një nga parakushtet më të rëndësishme që duhet të ofrojë garanci shtesë për sigurinë e ndërtimeve dhe rritjen e qëndrueshme të industrisë vendase të ndërtimit.

Industria e ndërtimit është një shtytës i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të vendit. Për shkak të rëndësisë që ka, është mirë që kjo degë e industrisë të mbështetet në kompani të forta që kanë kapacitete, njohuri dhe përvojë të madhe dhe që vazhdimisht investojnë në prodhimin e materialeve cilësore të ndërtimit”, tha ministri i Ekonomisë Kreshnik
Bekteshi në Konferencën e Parë për Infrastrukturë rrugore e cila mbahet në Ohër.

Ministri Bekteshi, i cili ishte folës në panelin me temë “Roli i ndërtimit në zhvillimin ekonomik të vendit”, tha se Ministria e Ekonomisë në vitin 2021 ka miratuar Ligjin e ri për produktet e ndërtimit, i cili është plotësisht në përputhje me Rregulloren 305/ 2011 të Bashkimit Evropian dhe kontribuon në thjeshtimin e procedurave administrative, shkurtimin e kohës për marrjen dhe emërimin e organeve dhe është në funksion të rritjes së efikasitetit të kontrolleve dhe shuarjes së të gjitha barrierave teknike dhe tregtare në këtë fushë.

Në fjalën e tij, ministri iu referua kohës kur kompanitë vendore të ndërtimit ishin ndërtuesit më të mëdhenj të infrastrukturës në vendet e rajonit dhe më gjerë.
“Ne kemi nevojë për një strategji që do të tregojë nëse vërtet duam të ndërtojmë infrastrukturë të qëndrueshme. Kompanitë tona tani punojnë më pak në tregjet e huaja dhe kjo është humbje edhe për shtetin. Prandaj duhet të punojmë të gjithë bashkë dhe kompanitë e ndërtimit duhet të punojnë bashkë për të qenë konkurrues”, tha ministri.

Ministri theksoi se sektori i ndërtimit është i rëndësishëm për ekonominë dhe kontribuon me 5% në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB).

“Nevojitet konkurrencë më e madhe dhe zhvillim i vazhdueshëm sipas tendencave dhe kërkesave të reja teknologjike që lidhen me Agjendën e Gjelbër, duke përfshirë transformimin e gjelbër, efikasitetin e energjisë, ekonominë rrethore dhe përdorimin e mbetjeve të ndërtimit, si dhe inkurajimin e transformimit dixhital në ndërtim, investimet në kërkim dhe zhvillim dhe aftësitë, për zhvillimin e materialeve të qëndrueshme si bazë solide për zgjidhje të qëndrueshme dhe inteligjente në ndërtim dhe materiale ndërtimi”, tha ministri Bekteshi.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume