Në Universitetin e Tetovës i filloi punimet Kongresi Ndërkombëtar i Shkencave Humane, Sociale dhe Arteve. Gjatë dy ditëve në vazhdim në auditorët e Universitetit tonë më shumë se 250 punonjës shkencorë do të prezantojnë ide, koncepte e zgjidhje të reja dhe inovative për problemet sociale, që vijnë si rezultat i kompleksitetit të epokës që e jetojmë.

Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës, nisur nga kjo bëri një parantezë të ngjarjes duke shtuar se, në Universitetin e Tetovës i vlerësojmë idetë dhe qëndrimet që e orientojnë dhe i japin kahe shoqërisë, sepse besojmë fort se universitetet janë busulla orientuese e shoqërive, prandaj, në këtë Kongres kemi një bashkekzistencë plurale konferencash, që qëndrojnë në vijë logjike njëra me tjetrën.  “Konferenca IX Shkencore Ndërkombëtare e Fakultetit Ekonomik – “Rritja ekonomike në kushtet e pasigurisë”, ofron një hapësirë jetike për ekonomistët, politikëbërësit dhe drejtuesit e biznesit për të shkëmbyer njohuri mbi lundrimin në kompleksitetin e peizazhit të sotëm ekonomik. Konferenca VIII Shkencore Ndërkombëtare e Fakultetit Juridik, me temë “Në drejtimin e sfidave të reja: Ballkani Perëndimor në udhëkryqin e integrimeve në BE”, eksploron çështjet kritike me të cilat përballet Ballkani Perëndimor në rrugëtimin drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Konferenca VIII Shkencore Ndërkombëtare e Fakultetit Filozofik, me temë “Çështjet socio-kulturore: Qasjet dhe mundësitë në të kaluarën dhe sot”, thellohet në ndërlikimet e trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore, duke ofruar një platformë për të diskutuar sfidat dhe mundësitë që formojnë shoqëritë me kalimin e kohës.  Konferenca VIII Shkencore Ndërkombëtare e Fakultetit Filologjik, me temë “Filologjia dje, sot dhe nesër” i fton gjuhëtarët, studiuesit e letërsisë dhe entuziastët e gjuhës që të reflektojnë në zhvillimin e studimeve gjuhësore dhe analizave letrare, duke siguruar ruajtjen dhe avancimin e trashëgimisë sonë letrare, gjuhësore e kulturore. Konferenca  IV Shkencore Ndërkombëtare e Fakultetit Pedagogjik, me temë “Arsimi me Qasje Transformuese”, hulumton metoda novatore që formësojnë të ardhmen e arsimit, duke siguruar që institucionet tona të mbeten në ballë të përparimeve pedagogjike”, tha Prof. Dr. Agon Memeti.

Ai mes tjerash tha se, këtë Kongres e bën të suksesshëm dhe sfidues fakti se në këtë ngjarje shkencore ka pjesëmarrës nga 28 universitete dhe institucione partnere, si rezultat i një punë të madhe ekipore bashkë me fakultetet përkatëse. Sipas Prof. Dr. Agon Memetit, ky sukses i madh në arenën ndërkombëtare, për hir të së  vërtetës, vjen si pasojë e veprimtarisë shkencore që në dhjetëvjeçarin e fundit ka qenë mjaft e frytshme dhe ku Universiteti ynë ka qenë djep i rritjes dhe i përparimit intelektual, duke nxitur një mjedis që e ka si prioritet kuriozitetin, kreativitetin dhe bashkëpunimin. Ky tubim nuk është vetëm takim mendjesh të ndritura, por edhe një festë e ndjekjes pa pushim të së vërtetës dhe frymës së paepur të kërkimit që i përcakton përpjekjet tona akademike, duke numëruar gjithsej 272 abstrakte me gjithsej 382 autorë dhe bashkautorë.

Në hapjen solemne të këtij kongresi u zhvilluan edhe tri ligjërata profesionale nga Prof. Dr. Eric Juno nga Universiteti i Ilinoisit Verior nga SHBA, Prof. Dr. Jože Damijan nga Universiteti i Lubjanës në Slloveni dhe Prof. Dr. Ivan Koprić nga Universiteti i Zagrebit në Kroaci. Po ashtu, në këtë kongres u bë edhe promovimi i numrave të ri të revistave shkencore që botohen nga fakultetet përkatëse të cilat janë edhe organizatorë të kësaj ngjarje.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume