Nevojitet mençuri dhe vullnet politik për tejkalimin e sfidave me të cilat ballafaqohet OSBE-ja, tha ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë Ivica Daçiq në fjalimin para Këshillit ministror të organizatës në Shkup.

Daçiq theksoi se lufta në Ukrainë ka çuar në degradimin e besimit, ndërsa OSBE-ja është ballafaquar me probleme më të mëdha deri më tani për shkak të pamundësisë për të arritur konsensus mbi çështjet kyçe për funksionimin e saj.

“Jam i bindur se do të bëjmë një hap përpara dhe do të dëshmojmë se jemi një nga organizatat e pakta të përziera e cila është në gjendje me sukses të përballet me të gjitha sfidat”, tha Daçiqi.

Në fjalën e tij ai iu referua edhe Kosovës, duke thënë se pozita e serbëve atje nuk ka qenë kurrë më e vështirë. Shtoi se përballen me lloje të ndryshme të diskriminimit dhe pasigurisë, ndërsa si problem përmendi të drejtën e votës dhe pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare në Serbi.

Daçiqi theksoi se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj procesit të dialogut për kontestin me Prishtinën i cili zhvillohet nën patronazhin e BE-së si dhe anëtarësimit në Union si prioritet kryesor i politikës së jashtme.

“Lidhur me pranimin e Kosovës në OSBE do t’ju lusja kur flisni për integritetin territorial të keni parasysh se ai është një parim universal i cili vlen për të gjithë”, tha Daçiqi i cili shtoi se Jugosllavia ka qenë një shtet me gjashtë njësi federale, jo shtatë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume