Universiteti i Tetovës ka filluar me aktivitetet arsimore – shkencore të cilat organizohen në kuadër të agjendës për shënimin e 29-vjetorit të themelimit. Pikërisht sot, në amfiteatrin “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi” në praninë e udhëheqësisë së Universitetit është mbajtur ceremonia e ndarjes së bursave për 77 ekselentë nga të gjitha njësitë akademike. Drejtuesit e UT-së vlerësuan se studentët, si brezi më përfaqësues i shoqërisë, kanë qenë dhe do të mbeten shpresa e ndryshimit, përparimit dhe avancimit të proceseve arsimore, shkencore, kulturore e pse jo edhe politike. Në fjalën e tij para bursistëve dhe prindërve të tyre, Rektori, Prof. Dr. Jusuf Zejneli theksoi se forca e studentëve buron nga dija, ndërkaq dija e tyre e forcon një shoqëri të tërë. “Universitetet konsiderohen të konsoliduara vetëm atëherë kur studentët ndihen të realizuar në qëllimin e tyre dhe vetëm atëherë kur arritjet e tyre profesionale i kalojnë auditorët e fakulteteve tona. Tashmë të gjithë e dinë se Universiteti i Tetovës paraqet qendrën arsimore – shkencore ku zhvillohen e realizohen me sukses të plotë qindra aktivitete, por ndarja e bursave për ekselentët, pa dyshim zë vendin e merituar dhe si e tillë, paraqet një nga sukseset tona të përbashkëta. Me këtë rast, në emrin tim dhe në emër të Universitetit, dekanëve të fakulteteve, profesorëve, studentëve, punonjësve të administratës, shpreh urimet e mia për këtë aktivitet që sot e organizojmë, si njëra nga ngjarjet më të veçanta në veprimtarinë e përgjithshme të Universitetit të Tetovës!”- deklaroi, Rektori i UT-së. Ai më tej theksoi se, ndarja e bursave për studentët e dalluar është dëshmia e vërtetë se Universiteti ynë identifikohet si institucioni i garës për dije, i konkurrencës, por edhe i mundësive të mëdha.
“Në përputhje me Ligjin për arsimin e lartë, me Statutin e Universitetit dhe me vendim të Senatit, të miratuar nga Rektori, ne sot do të ndajmë bursat universitare për 77 studentë të ciklit të parë në vitin akademik 2023/2024. Me këtë rast, si Rektor i Universitetit të Tetovës, i përgëzoj ekselentët tanë që i kanë plotësuar kriteret e kërkuara arsimore dhe i kanë fituar bursat universitare në bazë të punës, aftësisë dhe meritës së tyre dhe njëherit po ju shpreh mirënjohjen për kontributin që japin dhe nderin që i bëjnë Universitetit të Tetovës”- tha në fjalën e tij Rektori, Prof. Dr. Jusuf Zejneli. Në përfundim të këtij aktiviteti drejtuesit e Universitetit u zotuan se edhe në të ardhmen do të vijojnë të punojnë për avancimin e procesit mësimor – shkencor, forcimin e kapaciteteve universitare, të denja për kërkesat dhe sfidat me të cilat përballet bota bashkëkohore.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume