Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të dyshuarit Naim Murseli, avokatit Ahmet Ahmeti, ndërsa ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të 3 dhjetorit 2023, me të cilin Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, nën dyshimin për vrasjen e 30-vjeçares, Liridona Ademaj.

“Me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, PPRKR.nr.309/2023 të datës 12.12.2023, të pandehurve N.M, G.P dhe K.K, i ’u ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri N.M, ka kryer veprën penale në bashkëkryerje vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1, nën paragrafi 1.3 dhe 1.4, lidhur me nenin 31 të KPRK, i pandehurit G.P, për shkak të veprës penale vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1, nën paragrafi 1.4 dhe 1.6 të KPRK dhe veprës penale secili veç e veç mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 i KPRK, si dhe i pandehuri K.K për shkak të veprës penale marrëveshja për të kryer veprën penale vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.6 lidhur me nenin 35 të KPRK”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Ndryshe, të dyshuarit të katërt në këtë rast, T.D., më 11 dhjetor i është caktuar masa e paraburgimit.

Ende nuk dihen motivet se pse ka ndodhur vrasja e Ademajt, e cila kishte nënshtetësi suedeze bashkë me burrin e saj dhe dy djemtë.

Më 3 dhjetor, Gjykata Themelore e Prishtinës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, duke ua caktuar masën e paraburgimit prej një muaji tre të dyshuarve për vrasjen e 30-vjeçares, Liridona Ademaj.

Në këtë rast të dyshuar për vrasjen e Liridonës janë bashkëshorti i saj Naim Murseli si organizator i vrasjes, Granit Plava si doras dhe Kushtrim Kokalla, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe T.D, për shitje të armës të pandehurve Murseli dhe Plava.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume