Seanca për votimin e marrëveshjes me Italinë për emigrantët që zgjati vetëm 10 minuta, u shoqërua me trazira. Garda nuk lejoi deputetët e përjashtuar të futen në seancën plenare. Deputeti i opozitës, Flamur Noka u përpoq të hyjë me forcë në sallë, duke u shtyrë fizikisht me oficerët.

Kryeparlamentarja, Lindita Nikolla, njoftoi se gjykata kushtetuese ka pezulluar marrëveshjen me Italinë. Ndërkohë, me 74 votat e mazhorancës, u votua rregullorja e re e Kuvendit, e cila parashikon masa më të forta ndëshkuese, 30 deri në 60 ditë përjashtim për deputetët të cilët krijojnë kaos në kuvend.

Nga oborri i parlamentit Sali Berisha tha se moslejimi i deputetëve të opozitës në Kuvend është urdhër i Ramës.

“Si rrugëzgjidhje kanë gjetur që të mos futet asnjë deputet i opozitës në parlament. Kjo është marrje e plotë në kontroll policest të parlamentit nga garda e kuqe”, deklaroi Sali Berisha, Deputet i PD.

Në përfundim të seancës deputeti demokrat Gazment Bardhi theksoi se miratimi i rregullores së re është “një atentat ndaj parlamentarizmit”. Nga ana tjetër ka reaguar edhe deputeti i PS, Bledi Cuci i cili thotë se kush vjen i armatosur me tymuese në Kuvend, do të përjashtohet dy muaj.

“60 ditëshi është vetëm kur vendosin zjarr dhe përdorin mjete piroteknike në parlament dhe kur ushtrojnë dhunë, apo kur veprimet e tyre përbëjnë vepër penale. Vetëm atëherë!”, tha Bledi Cuci, Deputet i PS-së.