Banorët e Banjicës së Epërme dhe të Poshtme të Gostivarit, për të katërtën herë dolën për ta shprehur pakënaqësinë e tyre, sic thonë, lidhur me eksproprijimin e jashtëligjshëm të tokës pjellore.
Në një komunikatë drejtuar mediave, banorët thonë se nuk janë kundër eksproprijimit të tokës që përfshinë Korridorin 8, por janë kundër dhe protestojnë për eksproprijimin e tokës, për të cilën, pretendojnë se merret për logjistike – për bazë asfalti, kampim dhe bazë betoni.
Ata thonë se për këtë qëllim mund të merret toka e Maqedonisë së Veriut, në atarin e këtyre fshatarve.
Banorët e fshatrave të Gostivarit, Banjicë e Epërme dhe e Poshtme, njoftojnë se protestat e ardhshme do të jenë më intensive dhe se do të bllokohet rruga magjistrale kurse paraajmërojnë protesta edhe para Qeverisë.
Sipas tyre, nga java e ardhshme nisin me përgatitjet për mbjelljet pranverore.