Kryetari i partisë opozitare maqedonase, Hristijan Mickoski ka reaguar sërisht për ngjarjen në M-NAV.
Si më shumicën e rasteve, Mickoski nuk ka kursyer as këtë herë gjuhën e urrejtjes duke përdorur terme si “banditë” dhe “grupe kriminale”, teksa me idetë e tija ka shfaqur haptazi thirrjet për presion ndaj gjyqësorit, njejtë si në kohën e paraardhësit të tij, ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.
“Imagjinoni se çfarë do të ndodhte nëse një grup banditësh do të sulmonte në Aeroportin e Uashingtonit ose në Aeroportin e Parisit ose në Aeroportin e Berlinit. Ose ata tani do të arrestoheshin, ose do të ishin likuiduar. Dhe gjyqësia nuk do të trajtonte ngjarjen sikur dikush që huazoi një dhjetëshe qebapësh nga një dyqan ushqimor. Dhe kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për ndryshime për të mos na ndodhur të kemi banditë të tillë, dmth, edhe nëse ndodh ata të sanksionohen dhe të ndëshkohen menjëherë, “tha Mickoski.
Kujtojmë se në një vendim të fundit, Gjykata penale ka shpallur se nuk ka prova të mjaftueshme për të caktuar masën e paraburgimit për katër të dyshuarit në lidhje me depërtimin në kullën e kontrollit M-NAV. Gjykata thekson mungesën e provave për lëndime serioze, vdekje, apo shkatërrim të pajisjeve në aeroportin për trafik ajror ndërkombëtar.