“Profili politik i zotit Osmani, përvoja e tij tashmë e konsoliduar në ekzekutiv dhe integriteti i tij, e bëjnë kandidaturën e tij për President të Maqedonisë së Veriut një hap logjik dhe të arsyetuar”, thotë në një prononcim ekskluziv për portalin PRESSonline.al, ish-ministri i jashtëm i Republikës së Shqipërisë, Edmond Panariti.

“Përpos kësaj për faktorin politik shqiptar, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe për të gjithë kombin tonë, një kandidaturë shqiptare për kreun e shtetit të Maqedonisë së Veriut, është një burim krenarie dhe frymëzimi. Do të shpresoja që përtej ndasive dhe dallimeve ideore dhe politike, forcat politike shqiptare të bashkoheshin në mbështetje të një kandidature shqiptare për postin më të lartë të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Panariti për PRESSonline.al

Po, kush është Bujar Osmani?

Bujar Osmani u lind më 11 shtator 1979 në Shkup. Ka diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup në vitin 2004. Një pjesë të specializimit e kreu në Londër të Mbretërisë së Bashkuar në periudhën 2006-2007, ndërsa në vitin 2012 fitoi titullin kirurg specialist. Prej vitit 2014 është doktorant në Shkollën e Studimeve të Doktoraturës në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, ku doktoroi në korrik 2018.

Përvojën e punës e ka filluar në vitin 2004 si doktor i mjekësisë në Klinikën Universitare për Sëmundje Kirurgjike “Shën Naum Ohridski” në Shkup. Në vitin 2008 u emërua ministër i Shëndetësisë i Republikës së Maqedonisë dhe atë pozitë e mbajti deri në vitin 2011. Nga viti 2011 është kirurg specialist në Klinikën Universitare për Kirurgji Digjestive në Shkup. Në vitin 2011, ai u emërua edhe Sekretar i Komunikimit Publik në kryesinë e Bashkimit Demokratik për Integrim.

Që nga qershori i vitit 2017, ai është emëruar zëvendëskryeministër i ngarkuar për çështjet evropiane. Gjatë këtij mandati, Republika e Maqedonisë së Veriut bëri përparim serioz në integrimet evropiane: në procesin e Stabilizim Asociimit, vendi kaloi në fazën e dytë; Republika e Maqedonisë së Veriut u bë anëtare e nismës Adriatiko-Joniane dhe përfitimi kryesor është vendimi për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian.

Si udhëheqës i Sekretariatit për Çështje Evropiane, Osmani ka shërbyer edhe si Koordinator Nacional për shpërndarjen e ndihmës së huaj dhe fondeve IPA në vend. Nën udhëheqjen e Osmanit është përmirësuar dukshëm përthithja e fondeve IPA nga Bashkimi Evropian, si dhe është përmirësuar dukshëm bashkëpunimi në kuadër të ndihmës dypalëshe.

Prej korrikut 2018, ai është emëruar në krye të Delegacionit Shtetëror dhe si Kryenegociator me Bashkimin Evropian, nën drejtimin e të cilit nisi, u krye dhe përfundoi me sukses procesi i skriningut sqarues me Bashkimin Evropian.

Osmani është anëtar i përhershëm i Shtabit të Krizave të Qeverisë për ballafaqim me COVID-19, ndërsa në gjysmën e parë të vitit 2020 është emëruar kryekoordinator i shtabit lokal të krizave dhe i shtabit të krizave të qytetit të Shkupit.

Më 30 gusht 2020, Bujar Osmani u zgjodh Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Bujar Osmani është i martuar, baba i dy fëmijëve. Flet shqip (gjuhë amtare), maqedonisht, anglisht dhe pjesërisht frëngjisht.(PRESSonline.al)