Pasqyra e sigurisë botërore është dëshmi e korrektësisë së vendimeve për të cilat ne jemi sot një anëtar i vlerësuar i Aleancës

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot në seancë solemne e shënoi katër vjetorin e anëtarësimit të vendit në NATO.
Seancën në të cilën morën pjesë anëtarët e Qeverisë e kryesoi Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ndërsa fjalë morën ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska dhe zëvendëskryeministri i parë Bojan Mariçiq.
Në fjalimin e tij, Kryeministri theksoi: “Nesër shënojmë përvjetorin e katërt të anëtarësimit tonë të plotfuqishëm në NATO. Për mua personalisht ky përvjetor është i një rëndësie të veçantë, sepse kam nderin të drejtohem si Kryeministër i një shteti që nuk ëndërron më për këtë synim strategjik, por kontribuon në mënyrë aktive dhe është anëtar i vlerësuar i Aleancës më të fuqishme të mbrojtjes në botë.
Duke i parë krizat aktuale në botë dhe të gjitha pikat e nxehta , vërtetohet korrektësia e të gjitha vendimeve të vështira që na çuan drejt anëtarësimit të sotëm në NATO. Ne i shohim dhe i dëgjojmë tmerret në mbarë botën, por pa frikë për ne, sepse e dimë se NATO është garancia më e fortë e sigurisë. Ajo është dëshmi se çdo sakrificë e bërë – ia vlente!”
Në seancë u drejtua edhe ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, i cili theksoi: “Anëtarësimi ynë në Aleancë paraqet një kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e një rajoni të qëndrueshëm dhe të sigurt, i cili ka një rëndësi të veçantë në këtë periudhë kur po përballemi me sfidat aktuale të sigurisë të shkaktuara nga agresioni ushtarak rus në Ukrainë.
Si anëtare e NATO-s, Maqedonia e Veriut nuk është vetëm faktor stabilizues në rajon, por edhe një shtytje për vendet në fqinjësinë tonë, të cilat kanë vullnet dhe janë të gatshme të qëndrojnë pas vlerave dhe synimeve të përbashkëta euroatlantike”, tha Osmani, duke theksuar se nga një konsumatori i sigurisë, Maqedonia e Veriut shndërrohet në një vend që prodhon siguri, duke kontribuar në operacionet multinacionale të udhëhequra nga NATO-ja”.
Në seancën solemne foli edhe ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, e cila potencoi: “Përfitimi i parë kryesor është se me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, asnjëherë më nuk do të bëhet fjalë nëse mund të kërcënohet sovraniteti ynë, integriteti dhe siguria e qytetarëve.
Për një vend që ka pak më shumë se 3 dekada pavarësi dhe ndodhet në Ballkan, anëtarësimi në NATO do të thotë një konfirmim i madh i pozicionit të tij ndërkombëtarë dhe një sukses i madh. Pra siguria vjen e para, pastaj kuptohet që siguria dhe stabiliteti garanton investime dhe një situatë më të mirë ekonomike në vend. Prandaj anëtarësimi në NATO ishte një synim strategjik i vendit që në momentin e parë të pavarësisë dhe duhet të jemi krenarë që e realizuam.
Prej 4 vitesh nuk jemi një temë në tavolinë si vend ballkanik që duhet ndihmuar, por jemi të barabartë me të gjitha vendet anëtare dhe vendosim bashkë. Maqedonia e Veriut, nga një vend që bashkësia ndërkombëtare ndihmoi për të ruajtur paqen, tani është një vend që kontribuon në mënyrë aktive në sigurinë rajonale. Dhe nuk mund të bëhet fjalë për cenim të sigurisë sonë nga askush sepse në atë rast kemi një aleancë prej 32 shtetesh pas nesh.
Urime 4 vjetori i anëtarësimit në NATO. Morëm një angazhim të madh, një përgjegjësi të madhe dhe arritëm rezultat. Urime ky sukses i madh historik i brezit tonë”.
Fjalën e mori edhe zëvendëskryeministri i parë, Bojan Mariçiq, i cili në fjalën e tij u referua: “Dita e sotme, 4 vjet pasi u bëmë anëtare e NATO-s, më së miri i demanton në praktikë skepticizmin, rezervat dhe ngërçin prej para 5 viteve. Sot kemi mundësinë t’ia urojmë njëri tjetrit dhe të shënojmë dhe të krenohemi për Maqedoninë e Veriut, anëtare e NATO-s.
Sot ka rrethana që na tregojnë se kemi marrë vendimin e duhur, se kemi qenë në anën e duhur. Kemi një luftë në Ukrainë dhe jemi në vijën e sigurt të kufirit në Evropë. Kemi vende si Finlanda dhe Suedia që kanë qenë ushtarakisht neutrale për shekuj dhe që ndryshuan politikën e tyre të jashtme dhe të sigurisë të neutralitetit për t’u bërë anëtarë të NATO-s ku ne tanimë jemi anëtarë. Kemi një situatë në rajon ku 3/6 e vendeve të BP janë vende anëtare të NATO-s dhe ne jemi ndër ato 3. Së bashku me Shqipërinë dhe Malin e Zi.
Sot mund të na duket e dhuruar, por për këtë kemi luftuar fortë dhe me sakrifica të mëdha politike. Por kjo vetëm na kujton se vendimet e vështira janë vërtet të vlefshme si për qytetarët ashtu edhe për shtetin. Dhe se vendimet e vështira që duhet të marrim në lidhje me anëtarësimin në BE sigurisht që do të na kushtojnë neve politikanëve, por të jeni të sigurt që kur të festojmë përvjetorin e anëtarësimit në BE, qytetarët do të na jenë mirënjohës”.