Semafori i njohur botërisht nuk ka përjetuar një ridizajnim të rëndësishëm në pothuajse 100 vjet, që kur William Pott, një oficer policie i Detroitit, krijoi semaforin e parë me tre seksione në Shtetet e Bashkuara në vitin 1921.
Por tani, thonë ekspertët, me rritjen e numrit të “makinave pa shofer” do të thotë se nevojitet një grup i ri udhëzimesh sigurie për të siguruar që ato të ndërveprojnë saktë me sinjalet e trafikut, shkruajnë mediat e huaja.
Semaforët në mbarë botën zakonisht përdorin dritat e kuqe, të verdhë dhe jeshile për t’u sinjalizuar shoferëve nëse duhet të ndalojnë, të vazhdojnë ose të përgatiten për të vazhduar ose ndaluar në kryqëzime dhe vendkalime këmbësore.
Ali Hajbabaie, një profesor inxhinierie në Universitetin Shtetëror të Karolinës së Veriut (NCSU), po udhëheq një ekip për të hartuar një sistem trafiku që merr në konsideratë se si makinat pa shofer reagojnë ndaj sinjaleve të trafikut.
Andaj, Hajbabaie propozon shtimin e një drite tjetër – ndoshta një të bardhë.
Ndryshe, sipas “2022 Global Traffic Scorecard” nga INRIX, një kompani që krijon produkte dhe shërbime që lidhen me industrinë e transportit dhe automjetet autonome, kostoja e kombinuar për ekonominë gjatë bllokimit të rrugëve në Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani dhe SHBA ishte 2.2 miliardë dollarë.
Dhe semaforët japin një kontribut të rëndësishëm në uljen e kësaj kostoje.
Kur u shpik semafori?
Semafori i parë në botë u instalua në Sheshin e Parlamentit në Londër, Mbretëri e Bashkuar, më 10 dhjetor 1868.
Bllokimi në rritje i karrocave me kuaj në atë kryqëzim specifik po e bënte atë gjithnjë e më të rrezikshëm për këmbësorët në zonë.
Por fatkeqësisht, dizajni i parë i semaforit pati një fillim të vështirë.
Një rrjedhje gazi nga tubi i furnizimit për dritat nën të shkaktoi një shpërthim në mekanizmin e semaforit, duke plagosur policin që e drejtonte atë.
Duke u konsideruar si një rrezik sigurie, semafori u hoq shpejt dhe semaforët u ndaluan fare për 60 vitet e ardhshme.