Gjatë vizitës në Zelandën e re kryeministri kinez Li Qiang dhe homologu i tij Christopher Luxon nënshkruan një sërë dokumentesh bashkëpunimi në fusha të ndryshme, duke përfshirë tregtinë e shërbimeve, mjedisin e biznesit, eksportin e produkteve bujqësore e ushqimore në Kinë, shkencën e teknologjinë dhe shqyrtimin e patentave.

Gjatë bisedimeve me Luxon-in, kreu i qeverisë kineze tha se Kina dhe Zelanda e Re i janë përmbajtur frymës së respektit të ndërsjellë dhe të përfitimeve të përbashkëta, janë fokusuar te bashkëpunimi, si edhe kanë promovuar zhvillimin e përbashkët, pavarësisht ndryshimeve në situatën ndërkombëtare gjatë dhjetë vjetëve të fundit. Të gjitha këto kanë lehtësuar arritjen e një përparimi të madh në marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimi ndërmjet të dy vendeve ka shënuar shumë rekorde, gjë që ka sjellë përfitime për të dy popujt dhe ka dhënë kontribut pozitiv për paqen, begatinë dhe qëndrueshmërinë rajonale, shtoi kryeministri Li

Li tha se Kina është e gatshme të zgjerojë tregtinë me Zelandën e Re, të shfrytëzojë potencialin për bashkëpunim në fushat e ekonomisë digjitale, ekonomisë së gjelbër, automjeteve me energji të reja, industrive krijuese etj., duke promovuar së bashku bashkëpunimin ekonomik rajonal. Ai mirëpriti kompanitë nga Zelanda e Re të investojnë në Kinë.

Kryeministri Li Qiang njoftoi se Kina do ta përfshijë Zelandën e Re në listën e vendeve me të cilat zbaton politikën e heqjes së njëanshme të vizave. “Ne shpresojmë që pala neozelandeze do të ofrojë më shumë lehtësi për qytetarët kinezë për të bërë vizitë në Zelandën e Re,” tha Li
Luxon-i theksoi nga ana e tij që zhvillimi i marrëdhënieve kino-neozelandeze ka pasur arritje të kënaqshme që nga krijimi i partneritetit të gjithanshëm strategjik ndërmjet Zelandës së Re dhe Kinës 10 vjet më parë.

Ai vuri në dukje se Zelanda e Re i përmbahet në mënyrë të vendosur politikës së “një Kine” dhe është e gatshme të forcojë komunikimin e dialogun me Kinën, duke thelluar më tej bashkëpunimin në bujqësi, sektorin ushqimor, industritë krijuese, mbrojtjen e mjedisit dhe fusha të tjera.

Zelanda e Re do të shtojë bashkëpunimin në fushën e zbatimit të ligjit me Kinën, do të forcojë bashkërendimin e bashkëpunimin në kornizat shumëpalëshe, si Organizata e Bashkëpunimit Ekonomik e Azi-Paqësorit, dhe do të punojë së bashku për të trajtuar çështjet globale, si ndryshimi i klimës, tha Luxon.

Të dy kryeministrat ranë në një mendje që Kina dhe Zelanda e Re të vazhdojnë t’i shikojnë dhe t’i trajtojnë marrëdhëniet dypalëshe nga një perspektivë strategjike e afatgjatë, të zgjerojnë tregtinë e investimet dypalëshe, të thellojnë vazhdimisht shkëmbimet kulturore, të punojnë së bashku për të mbrojtur multilateralizmin dhe tregtinë e lirë dhe të promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm, të shëndetshëm e të vazhdueshëm të marrëdhënieve ndërmjet tyre