Papadopulo, ka thënë për mediat maqedonase se “presidentja dhe kryeministri nuk janë qytetarë të thjeshtë, dhe se për ta përdorimi i emrit kushtetues nuk është çështje personale”.
“Ne jemi fqinj, jemi aleatë në NATO dhe besoj se do të jemi edhe partnerë në Bashkimin Evropian, prandaj duam që kjo fqinjësi të vazhdojë dhe të forcohet. Greqia dëshiron të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me shtetin tuaj. Por, ka një bazë për këtë bashkëpunim dhe ajo është Marrëveshja e Prespës. Respektimi i të gjitha obligimeve të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë Marrëveshjen e Prespës është baza për bashkëpunim. Dua të besoj dhe pres në vazhdimin e bashkëpunimit me Qeverinë e re. Mesazhi është shumë i qartë, marrëveshjet ndërkombëtare duhet të respektohen. Emri i shtetit është Maqedonia e Veriut. Ky emër duhet të përdoret si brenda ashtu edhe jashtë shtetit”, ka thënë Papadopulo.
Mandatari për formimin e Qeverisë së re, Hristijan Mickoski, ka thënë se Qeveria që do të drejtojë ai do ta respektojë Marrëveshjen e Prespës, por beson që përdorimi i emrit të shtetit “është e drejtë e secilit që ta përdorë ashtu si e ndjen”.
Veç kësaj, Mickoski ka thënë se Qeveria e re do të hartojë një dokument me të dhëna mbi detyrimet që kanë zbatuar dy shtetet, meqë, sipas tij, edhe Athina ka detyrime që duhet të përmbushë.
Ministri aktual i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka thënë se “pala greke ka përmbushur detyrimin kryesor të saj, zhbllokimin e anëtarësimit të vendit në NATO”.
Përplasjet mes Shkupit dhe Athinës e kanë marrë vëmendjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, të cilët i kanë bërë thirrje, në veçanti Maqedonisë së Veriut, që t’i respektojë dispozitat e Marrëveshjes së Prespës, si një dokument që garanton paqe, stabilitet dhe perspektivë evropiane për qytetarët e saj.
Me rastin e gjashtëvjetorit të Marrëveshjes së Prespës, dy nënshkruesit e saj, ish-kryeministrat Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras, kanë organizuar një konferencë për paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm në Athinë.
Përgjatë konferencës do të ndahet edhe një cmim për ndërmjetësuesin e bisedimeve, diplomatin amerikan, Matthew Nimetz./REL