Forcat izraelite kanë vazhduar bombardimet në Rafah dhe zonat e tjera në mbarë Rripin e Gazës duke u përfshirë edhe në luftime nga afër me luftëtarët e Hamasit, njoftoi ushtria izraelite dhe banorët. Tanket izraelite po vazhdojnë të përparojnë në pjesët veriore dhe perëndimore të qytetit Rafah, teksa Izraeli deri më tani ka arritur të marrë kontrollin e pjesës lindore, qendrore dhe jugore në Rafah.

Sulmet e fundit izraelite nga toka, ajri dhe deti, po detyrojnë më shumë banorë që të zhvendosen nga qyteti, ku ndodhen mbi një milion të zhvendosur për shkak të luftimeve në pjesë të tjera të Gazës, të cilët tani sërish po detyrohen të zhvendosen. Zyrtarët shëndetësorë palestinezë thanë se të paktën 12 persona u vranë gjatë sulmeve të fundit ajrore izraelite. Ndërkohë izraelitët kanë dalë sërish në protesta duke kërkuar zgjedhje të reja dhe lirimin e të gjitha pengjeve që mbahen nga Hamasi. Protestuesit akuzuan Qeverinë e Netanjahut se po i vendos interesat politike para qytetarëve. Ndërkohë kryeministri izraelit përsërit qëndrimin se nuk do të tërhiqet derisa nuk lirohen të gjitha pengjet.

“Nuk do ta lëshojmë Rripin e Gazës derisa nuk i kthejmë të gjitha pengjet tona, edhe të gjallët edhe të vdekurit. Ne po e kryejmë këtë mision dhe shumë misione të tjera, por tani për tani më mirë është të heshtim për këtë.”, – deklaroi kryministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.

Ndërkohë zyra për të drejtat e njeriut të OKB-së ka veçuar gjashtë sulme izraelite në Gazë si krime të mundshme kundër njerëzimit. Ndërkohë Pentagoni ka rinisur sërish dërgimin e ndihmave humanitare në portin e ndërtuar në Gazë, pasi javën e kaluar ndihmat ishin ndalur për shkak të detit të trazuar.

“Inxhinierët e forcave mbrojtëse izraelite e kanë siguruar tërë përkrahjen e nevojshme për ta funksionalizuar portin. Transferimi i ndihmës humanitare nga Qipro në Gaza është rivendosur.”, – theksoi zëdhënësi i Pentagonit, Pat Rajder.

Ndërkohë, Departamenti amerikan i shtetit ka kërkuar nga Izraeli evitimin e konfliktit me Libanin, në rrethana të konfliktit në Gazë.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com