Moti i keq ka mbërthyer disa zona në Itali, duke shkaktuar një viktimë. Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut në zonën e Parmës, një 85-vjeçar humbi jetën pas vërshimit të përroit të Terminës.

I moshuari u përfshi nga rrjedha e ujit jashtë banesës së tij dhe nuk mundi që të shpëtonte.

Po ashtu edhe lumi Secchia ne Emilia-Romagna raportohet se ka dalë nga shtrati. Autoritetet kanë lëshuar alarmin e kuq, duke detyruar ata që rrezikohen, që të largohen nga banesat.

Dhjetëra rrugë janë bllokuar nga rrëshqitjet e dheut dhe balta në kodra dhe male, ndërsa përmbytje janë shënuar në katet e poshtme të banesave teksa janë shembur ura të vogla.

Alarmi i verdhë është lëshuar po ashtu në Veneto, Lombardi si dhe në disa zona të Pulias, Bazilikatës dhe Siçilisë.