LSDM sot zgjedh kryetar partie. 23.000 anëtarë do të zgjedhin mes katër kandidatëve, ish-ministrit të shëndetësisë Venko Filipçe, drejtorit të TIRZ-it, Jovan Despotovski dhe ish zëvendësministrit të Shoqërisë Informative Aleksandar Bajdevski.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konfirmoi sot se gjithçka është gati për një proces zgjedhor të drejtë dhe demokratik.

Petrovska, e cila dje përmes një konference për media njoftoi se po tërhiqet nga gara për shkak të keqpërdorimeve të shumta gjatë regjistrimit të anëtarëve, përmes një shkresë nga komisioni zgjedhor ka kërkuar që nesër të mos figurojë emri i saj në fletëvotim.

Në anën tjetër, Viktorija Avramovska Madiq theksoi se materialet zgjedhore tashmë janë shtypur dhe Petrovska nuk mund të largohet. Për akuzat e djeshme për një proces të padrejtë zgjedhor, Petrovska ende nuk ka paraqitur asnjë provë, kështu që komisioni zgjedhor nuk mund t’i hetojë.

Despotovski ka shfrytëzuar të drejtën e votës edhe në zgjedhjet e sotme për liderin e ri të partisë. Pas votimit, ai tha se kishte informacione për një numër të madh të anëtarëve të partisë që janë penguar të votojnë.

Ai ka theksuar se LSDM-ja asnjëherë nuk duhet të lejojë që anëtarët e saj të kthehen nga vendvotimet.

LSDM organizon zgjedhjet e jashtëzakonshme partiake pas dorëheqjes së Dimitar Kovaçevskit për shkak të disfatës më të madhe historike elektorale të partisë. Lideri i ri do të ketë mandat deri në mars të vitit të ardhshëm.

Sipas informacioneve tona, votat aktualisht janë duke u numëruar dhe kandidati për kryetar dhe ish-ministër i Shëndetësisë Venko Filipçe kalon 3 me 1 në raport me kandidatët e tjerë për kryetar të partisë.

Burimet tona pohojnë se deri më tani kanë votuar rreth 13.000 anëtarë, prej të cilëve Filipçe ka rreth 3.000, Jovan Despotovski nën 1.000 vota dhe Bajdevski nën 700 vota.