Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, pritet të takohen në Uashington në fund të korrikut, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Në atë kohë, përkatësisht më 24 korrik, Netanyahu pritet t’i drejtohet Kongresit të SHBA-së në lidhje me luftën e ushtrisë së tij në Gazë.

Pavarësisht luftës, SHBA-ja ka vazhduar mbështetjen për Izraelin, si në aspektin diplomatik, ashtu edhe në sigurimin e armëve, por Biden ka shprehur disa herë shqetësime për sjelljen e Izraelit.

Në një rast, ai e ka cilësuar atë si “ekstreme”.

Gjatë një bisede telefonike me Netanyahun në prill, Biden i ka kërkuar atij që të ndërmarrë më shumë hapa për t’i mbrojtur civilët në Gazë, duke thënë se politika e SHBA-së mund të ndryshojë.

Lufta në Gazë ka shpërthyer në tetor të vitit të kaluar, kur Hamasi – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – ka sulmuar i pari Izraelin, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë peng qindra të tjerë.

Në përgjigje, Izraeli është duke kryer sulme masive në Gazë – enklavën që kontrollon Hamasi.

Autoritetet shëndetësore në Gazë thonë se afro 38.000 njerëz janë vrarë prej se ka nisur lufta.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume