Gareth Southgate është emri më i përfolur në Angli këtë muaj, mirëpo jo vetëm, pasi kritikat për të kanë ardhur edhe nga Kosova.
I shumëkritikuar për lojën e “mërzitshme”, Southgate me Anglinë ia dolën disi të gjejnë rrugën deri në finalen e madhe të Berlinit.
Disa thonë që ishte me fat, sepse rruga deri në finale ishte e lehtë, mirëpo kjo le të mbetet në gjykimin e futbolldashësve. Krejt çka mund të thuhet është se në futboll s’ka rrugë të lehtë deri në finale.
Mirëpo, “Gazeta Express” ju sjellë profilin e tij, që prej karrierës së tij si lojtar, deri në profesionin që ai e ushtron, si trajner.
KARRIERA SI LOJTAR
Southgate e nisi karrierën e tij si mesfushor me Crystal Palace, me të cilin nënshkroi kontratë profesionale më 17 janar të vitit 1989.
Ai u bë kapiten e klubit në moshën 23-vjeçare, madje duke fituar “Divizionin e Parë” që tashmë njihet si Championship, duke shënuar nëntë gola si mesfushor defanziv.
Në vitin 1995, pasi Crystal Palace ra nga Premier League, Southgate u transferua te Aston Villa, duke djersitur fanelën e këtij klubi për 191 ndeshje.
Te Aston Villa, Southgate pati një aventurë relativisht të suksesshme. Ai fitoi Kupën e Ligës dhe u kualifikua me Aston Villën në Kupën e UEFA-s (Liga e Europës e sotme).
Më 2001, Southgate u transferua te Middlesbrough, me të cilin po ashtu vendosi duart në trofe. Ai si kapiten e fitoi Kupën e Ligës përsëri, duke u bërë kapiteni i parë në historinë 128-vjeçare të klubit që ngre një trofe në qiell.
Pavarësisht thashethemeve se ai do të largohej nga klubi, Southgate vazhdoi me M’boro deri në vitin 2007.
Ndeshja e tij e fundit me klubin ishte finalja e Kupës së UEFA-s, të cilën e humbi 4-0 nga Sevilla.
KARRIERA E TIJ SI LOJTAR I ANGLISË
Southgate luajti 57 herë me kombëtaren e Anglisë, duke u paraqitur në “EURO ‘96”, në të cilën humbi penaltinë e fundit ndaj Gjermanisë në gjysmëfinale.
Southgate u paraqit edhe në Kupën e Botës të vitit 1998, dhe në Kampionatin Europian të vitit 2000.
Gjatë kësaj periudhe, ai shënoi dy gola, një ndaj Luksemburgut më 1998, derisa tjetrin gol e shënoi ndaj Afrikës Jugore.
FILLIMI I RI NË KLUBIN E VJETËR – SI TRAJNER
Menjëherë pas pensionimit në vitin 2007, Southgate u shpërblye nga pronari i Middlesbrough, Steve Gibson, i cili i ofroi një kontratë pesëvjeçare si trajner. Southgate as nuk kishte të përfunduar ndonjë kurs për “trajnerllëk”, mirëpo kjo nuk e pengoi klubin që të besojë në të.
Dy sezonet e tij të parë në Premier League, nuk qenë më të mirat në botë, mirëpo në një mënyrë apo tjetrën, Southgate e gjente “formulën” e shpëtimit.
RËNIA NGA LIGA ME M’BORO
Ndonëse e nisi mirë sezonin, duke fituar dy nga tri ndeshjet e para në edicionin 2008/09, dhe duke fituar çmimin si “Trajneri më i mirë i muajit gush”, gjithçka shkoi si mos më keq.
Kur gjithçka dukej se po shkonte mirë – me Middlesbrough që gjendej në pozitën e tetë në nëntor të vitit 2008 – gjërat shkuan si mos më keq, me klubin dhe Southgate që ranë nga liga, duke përfunduar sezonin në vendin e 19-të në ligë.
Kështu, pas 11 sezonesh në Premier League radhazi, klubi ra në Championship, së bashku me Southgaten.
Ky i fundit ishte i gatshëm që ta rikthente klubin aty ku e meritonte, madje ishte në rrugë të mirë për ta bërë këtë. Por – duke qenë vetëm një pikë larg vendit të parë në Championship – Steven Gibson, pronari i Middlesbrough dha lajmin se Southgate është shkarkuar nga detyra e trajnerit, në tetor të vitit 2009.
PAUZA KATËRVJEÇARE DHE RIKTHIMI NË FUTBOLL
Pas katër vitesh larg futbollit, Southgate doli në skenë në vitin 2013, kur mori përsipër detyrën si trajneri i kombëtares U21 të Anglisë.
Southgate e kualifikoi kombëtaren e grupmoshave të reja në Kampionatin Europian të vitit 2015, mirëpo Anglia U21 përfundoi e katërta në grup, duke u eliminuar që në këtë fazë.
ZYRTARIZIMI SI TRAJNER I ANGLISË MË 2016
Pasi Sam Allardyce u shkarkua nga posti i kryetrajnerit të Anglisë në shtator të 2016-ës, Southgate e zëvëndësoi si trajner i përkohshëm për katër ndeshje.
Southgate u zyrtarizua si trajner i Anglisë më 30 nëntor të vitit 2016, duke nënshkruar kontratë katërvjeçare.
KUPA E BOTËS 2018
Pothuajse dy vite pasi mori detyrën e kryetrajnerit te Anglia, Southgate paraqitjet me kombëtaren e “Tre Luanëve” për herë të parë në një turne madhor.
Pasi fitoi ndaj Tunizisë dhe Panamasë, Anglia u kualifikua nga grupi si e dyta pas Belgjikës, e cila e kishte mposhtur Anglinë.
Në 1/8 e finales, Anglia me Southgate patën një përballje të vështirë me Kolumbinë, të cilën vetëm pas penalltive arritën ta eliminojnë.
Në çerekfinale, “Tre Luanët” patën punë më të lehtë me Suedinë, që e mposhti me shifrat 2-0, për të siguruar kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës së Botës, që po mbahej në Rusi.
Aty edhe do të gjentë eliminimin, ku Kroacia e mposhti pas 120 minutave lojë me rezultatin prej 2-1, ndonëse anglezët shënon të parët me anë të Kieran Trippier.
EURO 2020
Anglia me Southgate kualifikoheshin edhe në një kompeticion madhor, kësaj here në “EURO 2020”, në të cilin edhe shkoi në finale.
Pasi kaloi lehtë në fazën e grupeve ndaj Kroacisë, Skocisë dhe Republikës Çeke, Anglia në 1/8 e finales e eliminoi Gjermaninë, ndërsa në çerekfinale e ‘demoloi’ Ukrainën 4-0.
Në gjysmëfinale, me shumë vështirësi e kaloi Danimarkën, edhe atë pas vazhdimeve, për të kaluar në finale, ku e priste Italia.
Edhe pse e nisi mirë finalen e madhe të “EURO 2020”, Anglia pësoi në penallti nga të besuarit e Roberto Mancinit.
KUPA E BOTËS 2022
Anglia e fitoi grupin ndaj Irani, Uellsin dhe ShBA-ve, për të gjetur kualifikimin tutje.
Në 1/8 e finales, Southgate me Anglinë u ballafaquan me Senegalin, që e mposhti pastër 3-0.
Në çerekfinale, anglezët përjetuan pikëllimin, pasi u mposhtën 2-1 nga Franca.
EURO 2024
Për “EURO 2024” kemi folur edhe më lart, kritika të shumta në drejtim të tij, por që edhe kësaj here e gjeti finalen e Kampionatit Europian.
Mirëpo, dihet botërisht që nuk do ta ketë aq lehtë në finale, pasi do të përballet me një nga kombëtaret që luajti futbollin më të bukur në kampionat, mos më të mirin.
Southgate do të ketë punë me Spanjën, me takimin që luhet nesër (e diel) nga ora 21:00 në “Olympiastadion” në Berlin.
Spanja ka tri trofe të Kampionatit Europian (1964, 2008 dhe 2012), ndërsa Anglia s’e ka asnjë.