Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u ka uruar mirëseardhje mërgimtarëve të cilët tashmë kanë nisur të vijnë në Kosovë për t’i kaluar pushimet e verës, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka thënë se Kosova është akoma larg pritjeve të bashkatdhetarëve, teksa fajtore për këtë e ka bërë Qeverinë.

“Do të donim shumë që këtë verë ta gjenit Kosovë ashtu siç e ëndërroni, por për fat të keq akoma është larg pritjeve tuaja. E di që kur të vini do të donit që Kosova të jetë sikur ai vendi prej nga vini e që të mos përballeshit as me kolonat e gjata e as me pluhurin e rrugët e pakryera për qytetet e lindjes si psh: për Gjilan, për Pejë, për Gjakovë, për Podujevë, për Mitrovicë e kështu me radhë, të cilat qeveria jonë i ka lënë përgjysmë, si edhe shumë punë të tjera”, shkroi ai.