Kryeministri i vendit, Albin Kurti e ka quajtur të padrejtë vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët serbë të Kosovës, të cilët posedojnë pasaporta të Serbisë.

“E konsiderojmë të padrejtë, e konsiderojmë të dëmshme dhe gjithashtu dekurajuese për integrimin e serbëve. Sidoqoftë shteti i Kosovës, Republika jonë demokratike dhe e pavarur e ka forcuar pasaportën e saj si asnjëherë më parë, ndërkaq ne nuk kemi mundësi të mëdha që të ndikojmë te vendimet e Brukselit. Japim qëndrimin tonë dhe qëndrimi jonë nuk mund të jetë i ndryshëm. Ajo që ka thënë Presidenca e Ministria e Jashtme është qëndrimi i të gjitha institucioneve të Kosovës”, ka thënë Kurti para gazetarëve.

Nga Presidenca e Kosovës thanë dje se vendimi i Këshillit të Bashkimit Evropian që të përfshihen në listën e bardhë Schengen, përmes të cilit lejohet qarkullimi pa viza për serbët lokalë, është ligjërisht i pazbatueshëm, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Ky vendim i BE-së, ligjërisht është i pazbatueshëm në Kosovë, ndaj pasojat e tij nuk mund t’i marrë Kosova dhe institucionet e saj, sikurse as përgjegjësinë juridike dhe atë politike”, u tha në reagimin e Presidencës.

Sipas Presidencës, legjitimimi i këtyre pasaportave të jashtëligjshme nga BE-ja, saboton procesin e integrimit të komunitetit serb në Kosovë.

“Legjitimimi i këtyre pasaportave të jashtëligjshme nga BE-ja, saboton procesin e integrimit të komunitetit serb në Kosovë, e në veçanti në një periudhë kur një numër i madh i qytetarëve të etnisë serbe në Kosovë po pajiseshin me pasaporta të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, ky vendim ndikon negativisht në shtrirjen e sundimit të ligjit në gjithë Kosovën dhe për të gjithë qytetarët e saj. Për më tepër, këto dokumente që përmbajnë informacione të paverifikuara, mund të barten nga persona që mund të cenojnë drejtpërdrejt rendin dhe sigurinë edhe në BE”, thanë më tej në njoftim.

Nga Zyra e presidentes Osmani pohojnë se ky vendim, dëmton qytetarët, Kosovën dhe karakterin multietnik të saj si dhe vetë BE-në.

“Republika e Kosovës nuk merr asnjë përgjegjësi për shkeljet që bartësit e këtyre dokumenteve të jashtëligjshme mund të bëjnë në zonën Schengen.

Për më tepër, vendimi i BE-së mbështet strukturat dhe prezencën ilegale të Serbisë në Kosovë dhe bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe me standardet e vetë BE-së në fushën e sundimit të ligjit. Kosova për këtë vendim nuk është konsultuar fare, megjithëse institucionet tona i kanë dërguar vazhdimisht argumentet tona pse ky vendim është i dëmshëm”, thuhet në reagimin e presidentes Osmani.

Presidenca shton se e drejta e lirisë së lëvizjes duhet të ekzistojë gjithnjë, por jo në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës si dhe përpjekjeve e angazhimit për sundim të ligjit në çdo cep të Kosovës.

Nga opozita e kanë quajtur debakël politik dhe diplomatik për Qeverinë Kurti, heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës që kanë pasaporta të Serbisë.

Kështu e cilësoi Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku.

“Pra, pasaportat e lëshuara nga strukturat paralele të Serbisë paskan marrë sot vulë legjitimiteti nga B.E. Çfarë debakli politik dhe diplomatik për Qeverinë Kurti. Ja ku e sollën Kosovën sjelljet infantile dhe aventureske të kësaj kaste udhëheqëse”, ka shkruar Çitaku tha Çitaku.

Këshilli i Bashkimit Evropian mori të hënën vendim për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta serbe, të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.

Vendimi u mor në nivel të ministrave të Jashtëm në mbledhjen e fundit të këtij semestri.

Sipas njoftimit, vendimi pritet t’i prekë rreth 18 mijë banorë serbë të Kosovës që i posedojnë këto dokumente. /Reporteri.net/