Gërvalla për rastin e Faton Hajrizit: Gjithçka që ka ndodhur në Serbi është në mjegull, s’kemi garanci për identitetin e viktimës

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se nuk ka asnjë garancë se personi që është vrarë në Serbi të premten është Faton Hajrizi.
Gërvalla ka thënë se deri më tash kanë pranuar shenjat e gishtërinjve, të cilat pas verifikimit janë përputhur me ato të Faton Hajrizit, të arratisurit nga burgu i Smrekonicës.
“Nuk kemi asnjë garancë që bëhet fjalë as për personin e vrarë, e as për ndonjë prej pretendimeve tjera. Deri tash çdo gjë që ka ndodhur në Serbi është në mjegull. S’mund t’u themi qytetarëve se kemi informata të sakta, nuk fshehim asnjë informacion. Kjo është gjendje. Nuk dua të paragjykojë asgjë që ka ndodhur në Serbi, pasi jam shumë e sigurt se nuk e dimë të gjithë të vërtetën. Të presim se si do të rrjedhë. I kemi bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe misionave diplomatike, përfshirë edhe Zyrës së BE-së në Beograd që të ndihmojë në sqarimin e kësaj çështje dhe zbardhjen e të vërtetës”, ka thënë Gërvalla në konferencë për media.
Të premten autoritetet serbe kanë njoftuar se kanë vrarë një person të dyshuar për vrasjen e një polici serb. Nuk e ka konfirmuar identitetin, por po të premten ishte thënë se po kërkohej Faton Hajrizi si i dyshuar.