Doganat janë hedhur në aksion prej ditësh, duke krehur çdo pikë kalimi kufitar, për mallra që kalohen në mënyrë të dyshimtë dhe në mënyrë antiligjore. Në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit, gjatë natës u sekuestruan 8 orë dore në vlerë prej gati 4 mijë euro.
Pasagjeri kishte aterruar nga Australia. Ai nuk kishte deklaruar asnjë nga orët, duke i fshehur ato nga autoritetet. Ndaj tij u ngrit kallëzim kundërvajtës për mosrespektim të rregullave doganore. Ndërkohë, dy net më herët, dy persona nga Kosova, u privuan nga liria, për shkak se kishin kryer dy vepra penale.
Ata ishin ndaluar përgjatë rrugës magjistrale Kriva Pallankë – Kumanovë, ë një autobus me rreth 6 mijë kuti tabletash mjekësore, 100 pako kafe, 36 çanta të markave tregtare të shtrenjta, mbi 100 parfume meshkujsh si dhe lëndë të tjera për të cilat nuk kishin dokumentacion mbulues.
Në ekspertizë mori pjesë njësiti për krim ekonomik në SPB-në e Kumanovës, dhe me konsultim të prokurorit publik, autobusi me materialet e gjetura, u morr në procedurë të mëtejme.