Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar policin Enver Zymeri, i cili 13 vjet më parë u vra në pjesën veriore të Kosovës gjatë një aksioni.

Kurti ka thënë se në përvjetorin e 13-të të rënies së tij, ajo për çka Enver Zymeri u vra, sovraniteti shtetëror dhe tërësia territoriale, sundimi i ligjit dhe rendi publik në veri të vendit, janë në një nivel krejt tjetër.

“Enver Zymeri është hero i ligjshmërisë demokratike dhe i sovranitetit republikan të Kosovës. Kjo sa vjen e bëhet më e qartë në çdo përvjetor të rënies së tij, teksa gjendja në terren në pjesën veriore të Kosovës, ka ndryshuar rrënjësisht që nga koha kur Enveri u vra, 13 vite më parë. Enver Zymeri u plagos në kokë nga një plumb snajperi gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës në veri të vendit, i zhvilluar në mëngjesin e 25 korrikut të vitit 2011. I qëlluar duke shërbyer në krye të detyrës, polici Enver Zymeri vdiq pas 18 orësh, më 26 korrik, duke rënë dëshmor për vendin e tij, me uniformën policore, siç dikur e kishte mbajtur uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti ka lavdëruar gjithashtu përkushtimin e kolegëve të Zymerit dhe të gjithë forcave të Policisë së Kosovës, të cilët kanë vazhduar të sigurojnë rendin dhe ligjin në të gjithë territorin e Kosovës.

Ai ka theksuar se ky përkushtim është vërtetuar edhe gjatë operacionit në Banjskë më 24 shtator 2023, ku forcat e policisë janë përballur me një grup paramilitar të mbështetur nga Serbia.

Kryeministri Kurti ka shprehur mirënjohjen për kontributin e Enver Zymerit dhe për punën e përditshme të Policisë së Kosovës, që kontribuon në ndërtimin e një Kosove të sigurt dhe të qëndrueshme.

“Lavdi heroit të Kosovës, policit Enver Zymeri,” ka përfunduar Kurti.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume