Dita e nesërme do të sjellë ndeshjet e klubeve shqiptare në UEFA Ligën e Konferencës.
30 korriku, ditë e martë, do të jetë e ‘pushtuar’ nga shqiptarët, pasi nga pesë ndeshjet e mundshme, në katër do të jenë të përfshira klubet shqiptare.
Drita, Ballkani, Struga dhe Deçiqi do të luajnë ndeshjet kthyese, të cilat zhvillohet në kuadër të fazës së dytë kualifikuese për Ligën e Konferencës.
Katër klubet hyjnë në këto ndeshje me rezultate pozitive (pa humbje), shkruan “Gazeta Express”.
“Gazeta Express” ua sjellë formën që këto klube po kalojnë, duke nisur nga ato shqiptare, deri te kundërshtarët.
Fillimisht, ditën e nesërme e nis Drita në “Zahir Pajaziti” në Podujevë, me takimin që nis nga ora 17:00.
Drita ka marrë një fitore goxha të madhe në udhëtim në Islandë, duke e mposhtur Breidablikun me shifrat 2-1.
Arb Manaj (3’) dhe Veton Tusha (23’) shënon për klubin bardhekaltër nga Gjilani, për një pjesë të parë shumë të kujdesshme dhe të mirë në organizimin e lojës.
Mirëpo, pjesa e dytë, e tëra ishte në anën e vendasve, të cilët madje edhe shënuan në minutën e 71-të, me anë të Thorvaldsson.
Goditjet e islandezëve i ndalet pa ndonjë problem të madh gardiani i portës së Dritës, Faton Maloku, i cili dukej se po shfaqte performancën e tij më të mirë në karrierë.
Me këtë rezultat përfundoi ndeshja, derisa ajo e kthimit do të jetë pak më e lehtë për Dritë, e cila edhe me një barazim e gjen veten tutje në Ligën e Konferencës.
Që nga ndeshja e 25 korrikut, as Drita e as Breidablik nuk zhvilluan më ndeshje.
Drita s’luajti më sepse sezoni në Superligën e Kosovës ende nuk ka nisur, derisa në Islandë, edhe pse po zhvillohet xhiroja e 15-të, Breidablik e kishte pushim, i dhënë nga Federata e këtij shteti.
Breidablik ka zhvilluar 15 ndeshje në elitën e futbollit islandez, duke u renditur i dyti me 30 pikë, pas Vikingur Reykjavik, që ka 36 sosh.
Ndeshja e javës së kaluar, ishte e para për Dritën në Europë sivjet, pasi garat europiane i nisi nga rrethi i dytë kualifikues i Ligës së Konferencës.
Në anën tjetër, Breidabliku e mposhti Tikvesin pas dy ndeshjeve të mbushura përplot dramë dhe emocione.
Një orë më vonë se Drita, në skenë del Struga, kampionia e Maqedonisë së Veriut.
Struga shënoi fitore në shtëpi ndaj armenëve të Pyunik Yerevan , me takimin që përfundoi 2-1 të mirë të klubit shqiptar.
Besart Ibraimi dhe Spirovski shënuan për Strugën, derisa Villela për Yerevanin.
Dy klubet nuk janë paraqitur më në fushën e blertë pas ndeshjes së zhvilluar më 24 korrik.
Në pesë ndeshjet e fundit, klubi armen ka dy fitore, dy humbje dhe një barazim.
Në anën tjetër, Struga në pesë takimet e fundit i është gëzuar fitores tri herë, derisa është pajtuar me disfatë në dy raste.
Struga përfundoi në Ligën e Konferencës pasi u eliminua nga Slovan Bratislava në fazën e parë kualifikuese për Ligën e Kampionëve.
Në anën tjetër, armenët e Pyunik Yerevan në fazën e parë kualifikuese për Champions u eliminua nga Dinamo Minsk.
Pas Strugës, në arenën ndërkombëtare radha i vie Ballkanit.
Kampioni aktual i Kosovës do të përballet me Hamrun Spartans të Maltës, me takimin që do të nis nga ora 20:00.
Me shifrat 0-0 ishte mbyllur takimi i parë, i zhvilluar në “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Ballkani ende s’e ka gjetur formulën e duhur me lojtarët e rinj, pasi disa nga titullarët tashmë kanë marrë rrugën larg Therandës.
Si rrjedhojë, Ballkani u eliminua nga Liga e Kampionëve nga ekipi modest UE Santa Coloma, pas penalltive.
Edhe Hamrun Spartans është i eliminuar nga Liga e Kampionëve, pasi u mposhtë nga kampioni i Gjibraltarit, Lincoln Red Imps.
Si klubet më lartë, as kjo dyshe s’ka zhvilluar ndeshje tjetër që nga ajo e javës së kaluar, derisa kanë shfrytëzuar këto ditë të pushojnë e të synojnë fitoren e madhe për kalim tutje.
E fundit, por jo nga rëndësia, Deçiqi si kampion i Malit të Zi paraqitet në fushën e blertë nga ora 21:00.
Kampioni shqiptar i Malit të Zi do të ketë punë me Dinamo Batumi nga Gjeorgjia.
Ndeshja e parë e luajtur në Gjeorgji shkoi në të mirë të klubit shqiptar, pasi arriti fitoren prej 2-0, me dy golat e shënuar nga Ilir Camaj.
Ndoshta është bërë e tepërt duke e përmendur, por si më lart, edhe këto dy klube kanë ‘ruajtur’ bateritë për ndeshjet e Europës, pasi ligat respective ende s’kanë filluar.
Deçiqi përfundoi në këtë fazë pasi u eliminua në rrethin e parë të Ligës së Kampionëve nga TNS i Uellsit, derisa Dinamo Batumi eliminimin e gjeti nga Ludogoretsi i Bullgarisë.
Edhe 3 klube të tjera shqiptare janë mbetur ende në garë në Ligën e Konferencës, por disa me shumë pak gjasa për kalim tutje.
Llapi i Tahir Batatinës u deklasua në ndeshjen e parë në Danimarkë nga Brondby me shifrat 6-0.
Ndeshja e ardhshme luhet të enjten në Podujevë, por duket se do të jetë vetëm formalitet.
Egnatia, kampione e Shqipërisë ka mundësi të mirë kalimi tutje, pasi ndeshjen e parë nga Vikingur Reykjavik e fitoi 1-0 në Islandë, me ndeshjen e kthimit që luhet në Shqipëri.
E, Partizani do të ketë punë shumë të vështirë. Nënkampioni i Shqipërisë do të pres në “Elbasan Arena” kundërshtarin gjeorgjian, Iberia 1999.
Ndeshja e parë shkoi në të mirë të këtyre të fundit, duke fituar me shifrat 2-0.
Garat europiane për edicionin e ardhshëm i nisën 11 ekipe shqiptare.
Por nga to, Vllaznia e Shkodrës, Malisheva, Shkëndija dhe Tirana e gjetën eliminimin në fazën e hershme të kualifikimeve.