Pamjet të frikshme nga Shëngjini/ Vatra të shumta zjarri afër banesave, në rrezik edhe një cisternë gazi (VIDEO)

Situata në Shëngjin vazhdon të mbetet kritike, edhe pse prej disa orësh tanimë ka nisur ndërhyrja nga ajri e dy avionëve Canadair të ardhur nga Italia.
Flakët i janë afruar shumë banesave dhe hoteleve, ndërsa çatia e njërës prej vilave 2-katëshe është përpirë nga flakët. Po ashtu në terren ndodhen forca të shumta të zjarrfikëses dhe ushtrisë, për të bërë të mundur neutralizimin e zjarrit.
Kujtojmë që pranë portit të Shëngjinit edhe një depozitë me 5 mijë litra gaz, e cila po mbahet në mbikëqyrje nga forcat e policisë dhe është krijuar një perimetër sigurie.
Zjarri i frikshëm në Shëngjin kërcënon banesat, evakuohen banorët, Manja: Situata është nën kontroll
Sikurse mund të shihet nga pamjet zjarri ka përpirë pjesën më të madhe të kodrës dhe po kërcënon banesat aty pranë, ndërsa ndërhyrja është e vështirë edhe për shkak të terrenit.
Vatrat e shumta të zjarrit duket se do të mbajnë zgjuar banorët dhe zjarrfikëset, teksa këta të fundit u ndihmuan edhe me avion nga Italia, por ai ndaloi fluturimin pasi nuk operon gjatë natës.
Në terren ndodhet edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, si dhe ministri i Drejtësisë Ulsi Manja që thanë se po punohet për fikjen e flakëve.
Ministri Balla, në një komunikim për mediat, tha se aktualisht janë 5 vatra zjarri aktive. Ai tha se ka komunikuar dhe me homologun slloven, ku ka kërkuar mbështetje në këtë betejë me flakët.