Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano në konferencën e përjavshme ka folur sërish për aksionin e djeshëm të Policisë së Kosovës në veri ku u mbyllën disa degë të Postës së Serbisë, duke thënë se e konsiderojnë si një hap të njëanshëm dhe të pakoordinuar pikërisht për arsyet që renditëm në deklaratën e mbrëmshme, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Stano tha se fakti që Bashkimi Evropian vendosi masa ndaj Kosovës është reflektim i hapave që quan në esklaim, ndërsa tani po shohim veprime të pakoordinuara, e që siç tha ai një gjë e tillë vetëm çon në tesione të reja.

“Por të gjitha çështjet që listuar, janë çështje ku Kosova ka probleme. Fakti që BE-ja vendosi masa kundër Kosovës vitin e kaluar, është reflektim i hapave që quan në eskalim. Tani po shohim më shumë hapa të njëanshëm, veprime të pakoordinuara. Kjo nuk është në fakt shtensionim, kjo çon në tensione të reja. Dhe kjo duhet të kuptohet mirë nga ata që marrin vendime në Prishtinë”, ka deklaruar Stano.

Zëdhënësi i BE-së ka thënë se ajo çfarë kanë bërë autoritetet kosovare ditën e djeshme është absolutisht e pakoordinuar dhe do të ketë pasoja negative tek njerëzit në veri të vendit, dhe është shkelje e marrëveshjes së dialogut.

“Palët, Serbia dhe Kosova, kanë arritur marrëveshje në vitin 2013 për telekomunikacionin, ku kanë deklaruar se shërbimet postare do të diskutoheshin në një fazë të mëvonshme. Kjo nënkupton se ka pasur një dialog që është përfshirë në zgjidhjen e kësaj çështjeje. Fatkeqësisht, ajo që bëri qeveria e Kosovës dhe autoritetet atje gjatë ditës së djeshme, ishte absolutisht e pa koordinuar dhe do të ketë pasoja negative për njerëzit në veri të Kosovës, dhe është një shkelje e marrëveshjes së dialogut, për çka edhe lëshuam edhe deklaratën dhe ishim shumë të qartë. Kjo është kundër dialogut, dhe një tjetër shembull i veprimeve të njëanshme e të pakoordinuara të administratës së Kurtit”, tha Stano në konferencën e përjavshme para gazetarëve.

“Ky nuk është realisht përshkallëzimi, kjo çon në përshkallëzim të mëtejshëm dhe mendoj se kjo duhet të kuptohet shumë qartë nga ata që i marrin këto vendime në Prishtinë”, shtoi tutje Stano.

Kosova u kritikua nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si vendime të njëanshme dhe të pakoordinuara.

Sipas BE-së, një veprim i tillë shkel dialogun mes dy vendeve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë dhe çështje tjera, që i përkasin procesit të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Mbyllja e shërbimeve ekzistuese për serbët e Kosovës, pa një marrëveshje të arritur paraprakisht, do të ndikojë negativisht në përditshmërinë dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti”, ka thënë blloku evropian përmes një deklarate.

Në anën tjetër, ShBA-ja i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i ndërpresë veprimet e mëtutjeshme “të njënashme dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për t’i zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Policia e Kosovës pas një aksioni të zhvilluar dje në veri, ka mbyllur disa zyre të Postës së Serbisë në veri, pasi ushtronin funksionin e tyre pa licencë dhe të pa regjistruar në ARBK.

“Pas konsultimit me prokurorin nëntë nga to janë mbyllur. Zhvillimi biznesor ekonomik duhet të jetë i regjistruar, dhe të ketë licencë, fjala është për posta të cilat kanë funksionuar në mënyrë ilegale deri më tani”, ka thënë zëdhënësi i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.