Minatorët e Trepçës do të protestojnë ditën e enjte para Qeverisë së Kosovës.

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës thotë se protesta do të jetë paqësore.

“Minatorët e Trepçës së Kosovës kanë marrë vendim për të organizuar proteste paqësore për shprehjen e pakënaqësive, per padrejtësitë e vazhdueshme që tashme janë bërë të ditura, pra mosrealizimi i pagave per minatorët e Trepçës për më shumë se dy muaj. Protesta do të mbahet në Prishtinë pranë Qeverisë së Republikës së Kosovës, ditën e enjte, me date 15.08.2024 nga ora 12:00”, thuhet në njoftim.

Tutje, bëhet e ditur se marshimi do të fillojë nga sheshi Zahir Pajaziti-Prishtine, deri pranë objektit të Qeverise së Republikës së Kosovës.

Kjo protestë reflekton kërkesën e vetme të minatorëve, e që është pagat e papaguara për gati tre muaj.

“Ta dini që situata e minatorëve është rënduar tej mase, mosekzekutimi i pagave i ka dërguar minatorët në një situatë krize për ekzistence, andaj si mjet për të kërkuar bukën e gojës për vete dhe familjen e tyre ka mbetur të protestuarit si mjet ligjor dhe demokratik”, thuhet në njoftim.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume