Bashkimi Evropian ka konfirmuar dje se  po i vazhdon diskutimet për raportin e kryediplomatit, Josep Borrell për heqjen ose jo të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të vëna vitin e kaluar.

Në anën tjetër Qeveria Kosovës po konsideron se mbajtja në fuqi e masave ndëshkuese ndaj Kosovës me gjithë rekomandimin pozitiv të përfaqësuesit të lartë të BE, Josep Borrell është e pakuptimtë.

Këshilltari i zëvendëskryeministrit Bislimi, Klisman Kadiu, tha se masat duhet të hiqen menjëherë dhe në mënyrë të plotë.

“Masat kanë qenë të padrejta prej ditës së parë. Mbajtja ende në fuqi e këtyre masave përkundër rekomandimit pozitiv nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, z. Josep Borrell tashmë është e pakuptimtë. Ishte vetë letra e z. Borrell e 3 qershorit 2023, ajo që vendosi kushtet për vendosjen e masave ndaj Kosovës, që pasoi me marrëveshjen e Bratisllavës, dhe vetë përfaqësuesi i lartë Borrell i cili i ka propozuar fillimisht ato, ka më shumë se një muaj që ka konstatuar se të gjitha kushtet janë përmbushur dhe masat duhet të hiqen. Meqë është konstatuar përmbushja e kushteve, nuk ka nevojë as për heqje graduale, e hiç më pak për mbajtjen e tyre, por duhet largimi i plotë dhe i njëhershëm i masave”, tha Kadiu për RTV21.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka deklaruar të mërkurën se BE-ja dhe shtetet e saj anëtare vazhdojnë t’i kërkojnë Kosovës që të përmbahet nga “hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar”.

“Diskutimet e shteteve anëtare të BE-së në Këshill për raportin e përfaqësuesit të lartë, për përmbushjen e kërkesave të BE-së nga Kosova janë duke vazhduar. Ato janë të brendshme dhe konfidenciale. BE-ja dhe shtetet e saj anëtare vazhdojnë t’u kërkojnë autoriteteve të Kosovës që të përmbahen nga hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar që mund të rrisin më tej tensionet, dhe ne presim që Kosova të adresojë dhe zgjidhë çështjet e hapura në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka deklaruar Stano.

Në fillim të këtij muaji, Stano kishte paralajmëruar se këto masa mund të ashpërsohen. Deklarata e tij kishte ardhur pas mbylljes se degëve të Postës së Serbisë në veri dhe planit të Qeverisë për hapjen e urës së Ibrit për qarkullimin e veturave.

“Në vend të hapave që do të çonin në uljen e tensioneve, janë ndërmarrë shumë e më shumë hapa dhe vendime të njëanshme që çojnë drejt përshkallëzimit. Atëbotë thamë që masat janë progresive, ato mund të ashpërsohen apo lehtësohen varësisht nga zhvillimi i situatës. Kjo pjesë prek pjesën e parë të pyetjes, se çfarë do të bëjmë [pas vendimeve të fundit të autoriteteve në Kosovë]. Pra, kemi masa në fuqi dhe këto masa mund të ashpërsohen nëse për një gjë të tillë pajtohen të gjithë akterët e BE-së”, tha Stano.

Cilat janë masat e BE-së ndaj Kosovës?

Masat e BE-së ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale.

Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit).

Programi IPA, sipas Komisionit Evropian, është paraparë si “mënyrë përmes së cilës BE-ja përkrah reforma në ‘vendet në procesin e zgjerimit’ me ndihmë financiare dhe teknike”.

Kosova ka përfituar gjithsej 1.21 miliard euro nga ky program që nga viti 2007 deri në fund të vitit 2022. Ndërsa, nga programi Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor, Kosova ka përfituar rreth 1.8 miliard euro nga viti 2009 deri më 2021.

Por, pas masave ndëshkuese, Kosova mbeti jashtë granteve që BE-ja miratoi në korrik të vitit të kaluar, në vlerë prej 2.1 miliardë eurosh.

Masat ndaj Kosovë u vunë pas tensioneve në pjesën veriore të Kosovës vitin e kaluar në kohën kur kryetarët e zgjedhur shqiptarë në katër komunat në veri u dërguan me mbështetjen e policisë së Kosovës në zyrat e tyre. Të paktën 90 pjesëtarë të forcës paqeruajtëse të NATO-s u lënduan në një përplasje me protestues serbë. /Reporteri.net/