Anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, ka mbajtur një konferencë për media, pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale ndaj ish-drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqit.

Azemi pretendoi se Qeveria ka pritur një vit, me shpresën se do ta gjejnë ndonjë hallkë brenda sistemit të drejtësisë, me idenë që ta shpëtojnë Krasniqin nga aktakuza e ngritur, e madje ta kthejnë në krye të KEK-ut, shkruan Gazeta online Reporteri.net.

Madje, Azemi deklaroi se të gjithë nga partia e pushtetit i dolën në mbrojtje Krasniqit, ani pse ishin në dijeni për negocimin e “tendereve sekrete”, e veprime të tilla, ai i quajti“fatkeqësi”.

“Ky pushtet, tek pas një viti, Nagip Krasniqin, e arrestoi, e liroi nga detyra dhe u hapën procedurat për zëvendësimin e tij. Sepse siç duket, një vit kanë pritur që të gjejnë ndonjë hallkë brenda drejtësisë për ta shpëtuar nga aktakuza, e rrjedhimisht ta kthejnë në krye të KEK-ut. Fatkeqësia tjetër, është që pas arrestimit të tij, i madh e i vogël nga partia e pushtetit, e nga qeveria, i dolen në mbrojtje atij, duke u përpjekur ta shfajsonin. E mbrojnë dhe e mbronin, ani pse e dinin se ky person dyshohej e akuzohej për negocimin e një tenderi sekret në vlerë prej 3.4 milionë eurosh”, potencoi Azemi në prani të mediave.

Azemi nuk la pa përmendur edhe ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, derisa së bashku me ish-drejtorin e KEK-ut, Nagip Krasniqin, i quajti shokë të kryeministrit, Albin Kurti, e madje “dyshe famëkeqe, në krye të mafisë energjetike”.

“Nagipi e Martini, kanë qenë dyshe famëkeqe, pra kanë qenë në krye të mafisë energjetike. Pra, Nagip Krasniqi, duke u siguruar që të blejë energji elektrike, madje në kundërshtim me ligjin, e duke negociuar tendera sekret me dostat e tij në pushtet. Që të dy njerëz të pushtetit, që të dy shokë të Albin Kurtit që i kishte vendosur aty, e fatkeqësisht, u morën në mbrojtje nga kryeministri”, tha tutje Azemi.

Kujtojmë se sipas aktakuzës, Krasniqi, në periudhën nga 15 tetori 2021 deri më 19 prill 2023, në cilësinë e personit zyrtar, akuzohet për veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.”