Aleanca për Shqiptarët: Njësitë rajonale të bujqësisë në Tetovë, Gostivar dhe Strugë, pas shumë viteve udhëhiqen nga maqedonas

Njësitë rajonale të bujqësisë në Tetovë, Gostivar dhe Strugë, pas shumë viteve udhëhiqen nga maqedonas
Zv.ministri i Bujqësisë edhe pas pothuajse dy muajsh as ekipin e vet s’ka mundur ta krijojë. Nënçmimi që ua bën në Qeveri VMRO duket në çdo segment. Për pothuajse 5 javë zv.ministrit as shofer për makinë nuk i është lejuar.
I largon nga puna shqiptarët që të hapë ndonjë vend pune për aktivistët e vet, të cilët përditë e më shumë po e shohin me sy dështimin e koalicionit në Qeveri. Nuk ka fuqi të kërkojë vende shtesë pune as për ekipin e vet të kabinetit.
Po në këtë Ministri përgjegjësit shqiptarë të njësive rajonale në Tetovë, Gostivar e Strugë janë ndërruar me maqedonas. Njësitë rajonale janë pika ku fermerët mund të kenë qasje më të lehtë ndaj shërbimeve. Për këtë edhe janë krijuar.
Pyesim me çfarë arsyetimi e pranon zëvendësministri që këta shefa të jenë maqedonas në qytetet me shumicë shqiptare, apo edhe kjo heshtje është ajo monedha me të cilën e paguajnë kënaqësinë e egos se janë në pushtet pa pushtet?!
Thua aspak nuk i bëri përshtypje Flakron Bexhetit që kur e vizitoi njësinë rajonale të Tetovës shefi i njësisë për herë të parë në kohën e tij nuk është shqiptar. Shefa maqedonas kanë për ta pritur atë edhe në Gostivar e Strugë. Sidoqoftë, me rëndësi është të ketë një copë funksioni për t’u fotografuar, paçka se nuk i lejojnë as ekip e as fjalë goje.