Të gjitha pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë janë hapur për qarkullim të plotë dhe papengesë, pas bllokadave në pjesën serbe të kufirit.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi të shtunën pasdite se janë hapur dy pikat kufitare që autoritetet kosovare i kishin mbyllur të premten mbrëma, në Bërnjak dhe Merdare.

Pikëkalimi në Jarinjë u hap mëngjesin e së shtunës.

Rihapja e tyre vjen pasi shoqatat serbe i hoqën të gjitha bllokadat që i kishin vendosur të premten pasdite për të protestuar kundër vendimeve të autoriteteve kosovare në veriun e banuar me shumicë serbe.

“Pas pranimit të njoftimeve se tashmë janë larguar bllokadat e krijuara nga ekstremistë të maskuar që kanë qenë të vendosura dje në territorin e Serbisë dhe duke parë se nuk ka ndonjë pengesë për qarkullim nga dhe drejt pikave kufitare të Republikës së Kosovës, morëm vendimin për hapjen për qarkullim të pikave kufitare Merdarë dhe Bërnjak”, tha Sveçla në Facebook.

Dragisha Miriqit, kryetar i Shoqatës Koreni në Serbi, njoftoi të shtunën pasdite se bllokada në Merdare është hequr.

Miriq tha se shoqata e tij do të presë deri më 1 tetor për plotësimin e kërkesave të tyre nga autoritetet kosovare dhe paralajmëroi bllokadë të re kufitare, nëse kërkesat e serbëve nuk plotësohen.

Të shtunën në mëngjes, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se në Jarinjë nuk më pengesa në qarkullimin e të gjitha automjeteve në të dyja anët e kufirit.

“Në mëngjesin e sotëm në pikën kufitare në Jarinjë, është duke u zhvilluar pa problem qarkullimi i automjeteve në të dyja anët e kufirit edhe të automjeteve me targa serbe dhe atyre me targa të Kosovës”, tha Elshani.