“Qendrat e kopjimit në Tetovë sot ishin të pushtuara nga qytetarët, të cilët kishin ardhur për të bërë kopje të teksteve shkollore që nuk i ka furnizuar Ministria e Arsimit dhe Shkencës gjatë kësaj periudhe. Shkollat fillore dhe të mesme përballen me mungesë të shumtë të librave në Tetovë,
Siç duket, deklarata e Ministres së Arsimit dhe Shkencës se nxënësit anglishten duhet ta mësojnë prej serialeve po jep “efektin e duhur,” pasi një nga librat që mungon më së shumti është pikërisht libri i anglishtes, i gjuhës maqedonase dhe disa nga fletoret e punës. Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka arritur të sigurojë furnizimin me libra në kohë, duke shkaktuar shqetësim te prindërit dhe nxënësit. Kjo reflekton një krizë që po vazhdon të prekë arsimin në vend.
Mungesa e librave në shkollat e Tetovës ka detyruar prindërit të gjejnë zgjidhje alternative, shpesh duke bërë kopje të teksteve të nevojshme, një shpenzim i paparashikuar që rëndon buxhetin e familjeve. Situata tregon qartë nevojën për një reagim të menjëhershëm nga autoritetet për të siguruar që nxënësit të mos privohen nga mjetet thelbësore për arsimimin e tyre.
“Po, e kam një mbesë, pasha Zotin, asgjë nuk kanë. Vajza duhet ta marrë librin e gjuhës angleze dhe duhet ta bëjë kopje sepse librat nuk kanë ardhur në shkollë. Nxënësit kanë shumë probleme. Kopje këtu bëjnë pandërprerë, çdo ditë është e njëjta pamje. Fëmijët e klasës së tretë, disa libra i kanë, disa nuk i kanë. Problem është,” deklaron një qytetar.
“Asnjëherë nuk kanë pasur dhe nuk do të kenë. Mungojnë dhe ato duhet të përgatiten para fillimit të vitit shkollor dhe jo kur të fillojë viti të ketë problem. Familjet e vetë nxënësve, tani dy javë, fëmijët shkojnë në shkollë pa libra. E di që s’ka kuptim, por gjendja kështu është,” deklaron një qytetar tjetër.
“Nuk e di a i kanë komplet, për momentin mund të them se shumicën i kanë,” thotë shkurt një tetovar.
“Fëmijët i kanë detyruar që t’i bëjnë kopje sepse nuk i kanë librat nëpër shkolla, edhe pse një gjë të tillë duhet ta bëjë shkolla. Mirëpo, tash duhet t’i bëjmë ne kopje ose t’i blejmë. Për momentin, fëmijës tim i mungon libri i gjuhës maqedonase, libri i gjuhës angleze, fletorja e punës në matematikë dhe disa të tjera. Ne si prindër detyrohemi t’i paguajmë, por dikush e ka mundësinë e ai që nuk e ka, nuk e dimë si ia bën. Ndërkaq, një libër kushton 700 denarë dhe i bëjmë kopje që të kalojmë pak më lirë,” thotë një prind nga Tetova.
Në mungesë të librave shkollorë, qendrat e kopjimit në Tetovë janë bërë shkollat e reja për nxënësit e pafat. Dështimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për të siguruar furnizimin e librave është duke shkatërruar sistemin arsimor dhe duke rënduar financat e familjeve. Përtej justifikimeve, prindërit dhe nxënësit po përballen me krizën që po përshkallëzohet, duke i detyruar të kopjojnë libra për të mbijetuar në këtë mjedis arsimor të rrënuar. e pas gjithë kësaj lind pyetja A është ky realisht standardi i arsimit që po promovohet?