Jeton Mehmeti, kryetar i Komisionit të Pavarur të Mediave është zgjedhur zëvendëspresident i Rrjetit të Rregullatorëve të Shteteve të Mesdheut (MNRA), në Asamblenë Plenare të 23-të të mbajtur në Jerevan të Armenisë.

Në njoftimin për media thuhet se ky rrjet, që përbëhet nga 27 anëtarë, ka për qëllim shkëmbim e njohurive dhe përvojave mes shteteve anëtare për çështje që kanë të bëjnë me rregullimin e mediave.

Sipas rregullave të këtij rrjeti, Kosova do të jetë nikoqir i Asamblesë Plenare në vitin 2025, me ç’rast edhe merr me automatizëm Presidencën e MNRA-së.

Në fjalën e tij Kryetari Mehmeti i falënderoi shtetet anëtare për besimin e dhënë.

“Viti 2025 shënon 20 vjetorin e themelimit të Komisionit të Pavarur të Mediave. Do të jetë nder për ne që krahas organizimit të Asamblesë Plenare të ju tregojmë edhe zhvillimin e KPM-së nga një entitet i administruar nga UNMIK me emrin Komisioni i Përkohshëm i Mediave në një rregullator të pavarur të mediave”, tha ai.

Tutje në njoftim thuhet se temë kryesore në punimet e asamblesë në Yerevan janë parimet e Unesco-së mbi administrimin e platformave digjitale si dhe përdorimi i Inteligjencës Artificiale në arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara.

MNRA është themeluar në vitin 1997 me iniciativë të Francës dhe Spanjës. Në mesin e shteteve tjera anëtare janë Greqia, Qipro, Izraeli, Malta, Maroku, Turqia, Shqipëria dhe shtetet tjera të rajonit

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume