Emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, gjatë vizitës dy ditore që zhvilloi në Kosovë, dha mesazhet e tij për Asociacionin, veprimet e pakoordinuara të Qeverisë, qarkullimin e mallrave serbe nga Serbia në Kosovë, si dhe për atë nëse zgjedhjet në SHBA mund të ndikojnë në çfarëdo mënyre në qasjen e SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi.

Ai në një bashkëbisedim me gazetarët në Prishtinë tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përkrahin fuqishëm dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe presin që të përmbushin të gjitha obligimet që dalin nga Marrëveshja Bruksel-Ohër.

Kasanof ka thënë se kjo përfshinë për Kosovën edhe dërgimin e Draftit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese.

“SHBA mbetet një përkrahëse e fuqishme e dialogut të BE-së. SHBA pret që Kosova dhe Serbia do të përmbushin të gjitha zotimet e bëra në dialog dhe nën Marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit dhe kjo përfshinë për Kosovën dërgimin e Draftit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese”, ka thënë Kasanof.

Kasanof theksoi, po ashtu, se Shtetet e Bashkuara “mbeten mbështetëse të fuqishme të popullit të Kosovës dhe të vendit demokratik, sovran dhe multietnik”.

“Ne vazhdojmë të mbështesim edhe integrimin euroatlantik të Kosovës, si dhe integrimin në strukturat evropiane, sidomos në kohën kur shohim aq ndryshime në Evropë. Mendojmë se ky vazhdon të jetë vendi i duhur për Kosovën. Kjo është diçka që ne duam ta avancojmë dhe duam të punojmë me Kosovën”, tha Kasanof.

Ai tutje tha se veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i komplikojnë kapacitetet e SHBA-së për të mbështetur Kosovën.

“Në takimet e mia me presidenten dhe kryeministrin kam përsëritur dëshirën tonë për një partneritet më efektiv”, tha Kasanof.

“Gjithashtu, jam shprehur i kënaqur me rifillimin e qarkullimit të mallrave nga Serbia në Kosovë dhe që Kosova ka arritur të marrë vendin e saj në CEFTA dhe në Procesin e Berlinit”, shtoi zyrtari i lartë amerikan.

Ai theksoi, po ashtu, se Shtetet e Bashkuara mbeten mbështetëse të fuqishme të popullit të Kosovës dhe të vendit demokratik, sovran dhe multietnik.

“Ne vazhdojmë të mbështesim edhe integrimin euroatlantik të Kosovës, si dhe integrimin në strukturat evropiane, sidomos në kohën kur shohim aq ndryshime në Evropë. Mendojmë se ky vazhdon të jetë vendi i duhur për Kosovën. Kjo është diçka që ne duam ta avancojmë dhe duam të punojmë me Kosovën”, tha Kasanof.

I pyetur nëse zgjedhjet në SHBA mund të ndikojnë në çfarëdo mënyre në qasjen e SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor në përgjithësi ose në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Kasanof tha se “Politika e jashtme e SHBA-së bazohet në interesat tona kombëtare dhe nuk ka gjasa që interesat tona kombëtare të ndryshojnë në një shkallë të tillë që do ta ndikonte llogaritjen apo politikën në mënyrë dramatike, kur bëhet fjalë për Kosovën”.

Ai tha se vizita e tij e parë në Kosovë ishte “kryesisht një vizitë dëgjimore” dhe “për të mësuar më shumë për çështjet”.

“Kam mësuar shumë dhe ato informacione do t’i transmetoj kur të kthehem në Uashington”, tha Kasanof.

Kasanof takoi udhëheqësit më të lartë të shtetit, ata të opozitës, të Listës Serbe dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Kasanof qëndroi në Prishtinë pas vizitave që bëri këtë javë në Serbi dhe në Bosnje e Hercegovinë. /Reporteri.net/.