Kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë pjesëmarrjes në Samitin e Procesit të Berlinit, në fjalën e tij hyrëse u ka vënë theks të veçantë disa çështjeve.

Me ç’rast, kryeministri ka vlerësuar se pas këtyre dhjetë viteve, siguria e Evropës, s’ka ndryshuar për mire, raporton gazeta online Reporteri.net.

“Dhjetë vjet më vonë, siguria e Evropës nuk ka ndryshuar për mirë, por përgjigja ndaj pushtimit rus të Ukrainës ka qenë e ndryshme. Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia tani janë kandidate për në BE, Suedia dhe Finlanda janë anëtarësuar në NATO dhe Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë kthyer në axhendën e BE-së”, ka deklaruar Kurti.

Më tej, Kurti ka thënë se Procesi i Berlinit ka luajtur një rol kyç në afrimin e Kosovës dhe BE-së.

Ku ndër të tjerash, kryeministri ka potencuar se Kosova ka qenë dhe do të jetë zë i arsyes në këtë proces, megjithatë, ai ka thënë se shteti kosovar s’duhet të qëndrojë vetëm në shtyrjen dhe mbrojtjen e vlerave themelore të BE-së.

“Për një dekadë, Procesi i Berlinit ka luajtur një rol kyç në afrimin e rajonit tonë drejt BE-së. Pavarësisht sfidave të brendshme dhe të jashtme, Procesi i Berlinit mbetet një forcë lëvizëse për integrimin evropian dhe filli që mban të lidhur Gjashtë Ballkanin Perëndimor. Kjo është ajo që ne e pranojmë dhe festojmë sot këtu në Berlin. Kosova ka qenë dhe do të jetë zë i arsyes dhe flamurtar në këtë proces, por ne nuk duhet të qëndrojmë vetëm në shtyrjen dhe mbrojtjen e vlerave themelore të BE-së”, ka deklaruar Kurti më tej.

Në përfundim, kreu i Qeverisë ka theksuar se BE-ja duhet të sigurojë që fondet e BE-së janë të lidhura me vlerat e saj.

“BE-ja duhet të sigurojë që fondet e BE-së janë të lidhura me vlerat e BE-së – është Procesi i Berlinit ai që e afron rajonin tonë më afër BE-së, jo një “Proces i Pekinit” që çon në BRICS”, ka thënë Kurti.